15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Skandali i kredive/ Sejko: Nuk kemi kompetencë për të ndaluar tjetërsimin e pronave nga Micro Credit Albania

Banka e Shqipërisë ka reaguar për skandalin e mashtrimit me kreditë, i cili ka rrënuar financiarisht mijëra qytetarë shqiptarë si dhe ka derivuar në tjetërsimin e pronave për mijëra familje.

Edhe pse ka pranuar skandalin, Banka e Shqipërisë deklaron se ajo nuk ka kompetenca për të ndaluar tjetërsimin e pronave përmes mashtrimit nga shoqëria Micro Credit Albania në bashkëpunim me disa përmbarues, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente.

BSH thotë se e ndryshoi ligjin duke i hapur rrugë blerjes së kredive me probleme për shkak se sistemi bankar kishte një nivel të lartë të kredive të këqija, por nuk sqaroi se pse e ligjëroi shkeljen e ligjit nga Micro Credit Albania, e cila kishte blerë kredi të këqija pa patur licencë.

Reagimi i plotë i BSH:

Koncepti i “shitblerjes së kredive me probleme” u shfaq në tregun financiar shqiptar rreth vitit 2012. Pas krizës financiare të viteve 2008-2010, bankat kishin akumuluar një portofol të konsiderueshëm kredish me probleme, i cili po pengonte zhvillimin e mëtejshëm të kredidhënies për shkak të konsumit të lartë të burimeve të brendshme për rikuperimin e tyre. Niveli i kredive me probleme në atë kohë ishte tepër i lartë, duke e kaluar vlerën 25% të kredisë totale. Ky nivel, në kushtet edhe të kulmimit të pasojave të krizës financiare në Greqi dhe efekteve të saj në sistemin financiar shqiptar, përbënte një skenar tejet të rrezikshëm që mund të thellohej më tej, duke cenuar drejtpërdrejt parametrat kryesorë të shëndetit bankar dhe duke u kthyer në një kërcënim serioz të kursimeve të qytetarëve të depozituara pranë bankave të nivelit të dytë.

Në këtë kontekst, marrë në konsideratë që një mandat thelbësor ligjor i Bankës së Shqipërisë, krahas atij të stabilitetit të çmimeve, është edhe ruajtja e stabilitetit financiar në tërësi, ishte e domosdoshme marrja e masave të menjëhershme për adresimin e kësaj problematike, e cila në atë kohë konsiderohej e një rëndësie kombëtare.

Në shtator të vitit 2015 u miratua “Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme”, plan i cili u nënshkrua nga Kryeministri dhe Guvernatori dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë ishte pikërisht rregullimi dhe licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme. Një nga format e propozuara nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen (FMN dhe BB) ishte aktivizimi i shoqërive që kishin si objekt blerjen e kredive me probleme, një praktikë kjo e njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër, kjo zgjidhje gjente mbështetje edhe në dispozitat e Kodit Civil.

Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë ishte që në kushtet kur kredia është një produkt financiar, atëherë edhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, transferimi i kredive me probleme në subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë do të siguronte përmbushjen në vijimësi të kërkesave rregullatore për raportimin e të dhënave në Regjistrin e Kredive dhe mbrojtjen e konsumatorit në drejtim të transparencës, mbrojtjes nga veprimtari abuzive dhe ndërmjetësimit në trajtimin e ankesave të kredimarrësve.

Pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës në mars 2016 për njohjen e blerjes së kredive si aktivitet kredidhënës, Banka e Shqipërisë njoftoi bankat e interesuara se procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe si i tillë nuk mund të kryhet nga subjekte të palicencuara nga Banka e Shqipërisë. Këto subjekte me aktivitet administrimin e kredive me probleme do të duhet të licencoheshin nga Banka e Shqipërisë, si dhe t’i nënshtroheshin të gjitha detyrimeve rregullatore dhe mbikëqyrëse që përfshinin, midis të tjerash: detyrimisht raportimin në Regjistrin e Kredive, raportime periodike pranë Bankës së Shqipërisë, administrimin e riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë.

Në vitet që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua edhe me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullativ ekzistues, ku u përfshinë kërkesa të reja rregullatore për të normuar më mirë procesin e licencimit dhe provigjionimit të kredive të blera, si dhe rregullime që synonin mbrojtjen e konsumatorit dhe etikën në dhënien dhe administrimin e kredive në sistem. Konkretisht, Banka e Shqipërisë:

miratoi një ndryshim rregullativ që kufizon masën e penaliteteve që i ngarkohen një kredimarrësi të kredisë konsumatore në 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Kjo erdhi si domosdoshmëri, në kushtet mungesës së kufizimeve mbi masën e penaliteteve të akumuluara për kreditë me probleme, të cilat mund të kalonin disa herë shumën e principalit;

miratoi vendosjen e një kufiri në normat e interesit, përmes futjes në rregullore të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit që ofrohen për kreditë konsumatore. Ky ndryshim rregullativ erdhi si nevojë e forcimit të mbrojtjes së konsumatorit, lidhur me aplikimin e kostove të larta të kredisë, të cilat shpërndaheshin në interesa, komisione e tarifa.

Krahas sa më sipër, Banka e Shqipërisë ka vijuar të mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha subjektet e licencuara prej saj, nëpërmjet monitorimit të raportimeve financiare periodike, ekzaminimeve në vend, marrjes së masave mbikëqyrëse ose sanksioneve etj.

Historiku i mbikëqyrjes së MCA-së

Aktiviteti kryesor i shoqërisë “MCA” ka qenë rikuperimi i kredive me probleme të blera nga bankat dhe subjektet e tjera. Njëkohësisht, subjekti ka pasur edhe një portofol kredish të disbursuara prej tij.

Nga momenti i licencimit, subjekti u është nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektimeve të vazhdueshme nga jashtë, disa ekzaminimeve të plota dhe të pjesshme, si dhe një monitorimi 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.

Pas ekzaminimive të kryera, masat e marra ndaj institucionit kanë qenë në përputhje të plotë me kuadrin rregullativ dhe në përpjesëtim me shkeljet e gjetura.

Në ekzaminimin e fundit në dhjetor 2023 u morr një masë mbikëqyrëse më e rëndë, sipas së cilës subjekti nuk mund të ushtrojë asnjë nga veprimtaritë për të cilën është licencuar, si: të gjitha format e kredidhënies, blerja e kredive, procesi i trajtimit dhe të ristrukturimit të kredive etj.; dhe u lejua vetëm të shiste portofolin që administronte tek subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet.

Pavarësisht se masa më e fundit mbikëqyrëse në fuqi për subjektin MCA e ka vendosur atë në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës, pra duke i pamundësuar kryerjen e çdo aktiviteti për të cilin është licencuar si listuar më sipër, qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për të mos proceduar deri më tani me revokimin formal të licencës, lidhet me kujdesin për të shmangur problemet sociale që do ta shoqëronin këtë vendimmarrje.

Duke revokuar licencën, MCA do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Pra, subjekti nuk do të raportonte më në Regjistrin e Kredive dhe nuk do të vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë, duke krijuar kështu situata më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve. Konkretisht, edhe në rast se ata do ta paguanin tërësisht detyrimin, ai do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke ruajtur padrejtësisht një historik joperformues që do t’i penalizonte kredimarrësit.

Po ashtu, revokimi i licencës e bën të pamundur për Bankën e Shqipërisë të trajtojë ankesat e klientëve të MCA-së, pasi kjo e fundit nuk do të mbikëqyrej më nga Banka e Shqipërisë dhe, duke mos pasur detyrim për llogaridhënie do të krijonte situata më të rënda për kredimarrësit.

Revokimi i licencës do të krijonte edhe pritshmërinë e gabuar të kredimarrësve se nëpërmjet revokimit të licencave të subjekteve kredidhënëse mund të shuhet edhe detyrimi i tyre. Kështu, kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila do të risillte rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, duke rivendosur në rrezik kursimet e qytetarëve e rrjedhimisht stabilitetin financiar të vendit.

Përtej sa më sipër, edhe në rast revokimi formal të licencës, procedurat e ndjekura për ekzekutimin nga shërbimi përmbarimor mbeten të paprekura nga kjo vendimmarrje, pasi këto procedura rregullohen nga Kodi i Procedurës Civile dhe ligji për shërbimin përmbarimor. Kjo do të thotë që procesi i ekzekutimit të detyrimeve do të vijojë dhe paralelisht me të edhe problematikat që ky proces mbart. Pikërisht këto problematika, në këtë pjesë të procesit, janë konstatuar nga konsumatorë të ndryshëm gjatë ankesave të depozituara pranë Bankës së Shqipërisë.

Ankesat në lidhje me MCA

Gjatë periudhës 2015 – 2024, kanë ardhur dhe janë trajtuar vetëm 85 ankesa/kërkesa ndaj subjektit Micro Credit Albania.

Numri më i madh i këtyre 85 ankimimeve të mbërritura në BSH nga klientët e kësaj shoqërie lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm, nga shërbimi përmbarimor.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente. Veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qoftë ky i organizuar në formë shtetërore apo private, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.

Banka e Shqipërisë është njoftuar nga bankat e nivelit të dytë mbi shqetësime përsa i përket veprimtarisë së shërbimit përmbarimor që lidhet me numrin tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen pranë bankave me frekuencë ditore, si dhe mbajtjen të bllokuar përtej afateve të përcaktuara në aktet rregullative të llogarive të debitorëve.

Duke qenë se këto vijnë si rrjedhojë e aktivitetit përmbarimor mbi të cilin Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë tagër ligjor për të ndërhyrë, kemi komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe palët e tjera, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

Theksojmë se funksioni i BSH-së është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke mbrojtur stabilitetin financiar.

Komunikimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve

Banka e Shqipërisë ka bërë gjithçka që ligji i njeh dhe është brenda kompetencës së saj, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të ekzekutimeve të kolateraleve.

Në këtë pikë theksojmë se, autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj.

Sidoqoftë, kemi kërkuar grupe të përbashkëta pune me Ministrinë e Drejtësisë për të bërë të mundur adresimin konkret të problematikave; kemi sjellë në vëmendje të subjekteve të licencuara përmbushjen e detyrimeve rregullatore gjatë procesit të ekzekutimit; kemi raportuar sa herë që është kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë rreth problematikave dhe zgjidhjen e ofruar; kemi sqaruar pafundësisht Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve rreth çështjeve shpeshherë të gabuara dhe pretendimeve që kanë ngritur, duke pasqyruar në këto përgjigje detyrimet dhe kompetencat ligjore të Bankës së Shqipërisë, kemi pasur komunikime të shpeshta me Shoqatën Shqiptare të Bankave rreth adresimit të ndonjë problematike të shfaqur në sektor.

Shitblerja dhe trajtimi i kredive me probleme ka ardhur duke u zhvilluar dhe duke qenë se në rregullimin e tij ndërthuren kompetencat e autoriteteve të ndryshme, është i nevojshëm një koordinim i gjerë mes tyre, për të adresuar problematikat e evidentuara deri tani.

Në përfundim dëshirojmë të ritheksojmë se, Banka e Shqipërisë ka ushtruar të gjitha funksionet e saj në përputhje të plotë me kërkesat ligjore dhe rregullative, në përmbushjen e njërit prej mandateve të saj ligjore, atë të stabilitetit financiar të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *