24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Abuzimi shkon shumë lart/ Hetimi sipërfaqësor te Onkologjiku “tapos” skandalin real

Nga Boldnews.al

Rreth 6 muaj hetime, përfshirë përgjime, njerëz të infiltruar dhe vëzhgime në terren, përfunduan me zbulimin e një rasti të vetëm të transferimit të një pacienti të Spitalit shtetëror të Onkologjikut tek klinika private e një mjeku të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), si edhe zbulimin e disa mesazheve telefonike mes stafit mjekësor dhe administrativ të një natyre kompromentuese, por të pashoqëruara me prova konkrete.

Rezultati i hetimit të Prokurorisë së Tiranës, të konkluduar të martën e kësaj jave (25 qershor 2024) është më së paku të thuhet anemik. Ai arriti vetëm sa gërvisht lehtas majën e një ajsbergu paligjshmërie që zhvillohet në Spitalin Onkoligjik të Tiranës, por edhe në struktura të tjera spitalore.

Prej vitesh është ndërtuar një skemë abuzive ndaj pacientëve me sëmundje tumorale dhe familjarëve të tyre.

Në fillim të mandateve të tij qeverisës, kryeministri Edi Rama përmendte shpesh shprehjen se “shkaktari kryesor i korrupsionit në Shqipëri është sistemi dhe jo njerëzit”. Madje, për të përforcuar idenë e tij, ai gjithashtu e shoqëronte qëndrimin e tij me batutën që “sistemi në Shqipëri mund të korruptojë edhe një gjerman”.

Ai premtoi se do të përmirësonte sistemin për të luftuar korrupsionin. Por, hetimet, edhe aq sa u zhvilluan në Spitalin Onkologjik të QSUT-së, provuan se 11 vjet pas ardhjes në pushtet të Ramës, “sistemi është i korruptuar në palcë” dhe kjo situatë përdoret, ose më saktësisht, keqpërdoret nga kushdo zyrtar, mjek, infermier apo administratë, që ka në dorë diçka nga ku mund të përfitojë.

Fatkeqësisht, të prekurit nga sëmundje tumorale në Shqipëri po shënojnë rritje eksponencionale nga viti në vit. Gjatë vitit 2023, në vendin tonë u shënuan 6500 raste të reja, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shqipëria renditet në vendet me incidencë të lartë të rasteve me sëmundjet tumorale, duke regjistruar 161 raste për 100 mijë banorë.

Këtij fluksi pacientësh nuk i përgjigjet aspak infrastruktura mjekësore dhe spitalore, pra, sistemi.

Sistemi nxit abuzimin

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Performancën e trajtimit të sëmundjeve tumorale”, të publikuar në mesin e vitit 2023, ngriti alarmin për mos-efikasitetin e sistemit.

Në atë raport, KLSH konstatonte, ndër të tjera, se shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë mininale në shpenzimet buxhetore të QSUT-së. Po ashtu, audituesit shtetërorë konstatuan numër të kufizuar mjekësh për trajtimin e pacientëve, mungesa të shtretërve për kryerjen e kimioterapisë, si edhe mos-funksionim prej vitesh të pajisjeve mjekësore, shumë të domosdoshme për kurimin e të sëmurëve.

Ky sistem, për të cilin mund të thuhet pa drojë që është tejet i çalë, ka krijuar të gjithë premisat që person zyrtarë të abuzojnë me gjithçka çfarë kanë në dorë.

Mijëra qytetarë që i ka zënë halli të trokasin tek dyert e Spitalit Onkologjik në Tiranë, si i vetmi që kryen kimioterapi në Shqipëri, por jo vetëm tek ai, e njohin më së miri skemën.

Pagesa nën dorë tek roja për të lajmëruar infermierin apo mjekun, pagesa nën dorë për të gjetur një radhë sa më shpejt apo për të siguruar ilaçe, të cilat, nëse nuk i marrin në Spital falas, do të duhet t’i marrin qindra euro në farmacitë “e lidhura” me mjekë apo staf të Onkologjikut.

Pacienti, shëtitje shtet-privat

Të gjitha këto ndodhin ditën për diell dhe në çdo orë të ditës apo ditë të javës. Por, hetimi penal, i udhëhequr nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, përfundoi me gjetjen e vetëm të një rasti transferimi të një pacienti nga Onkologji shtetëror tek klinika private e mjekut Edmond Gashi.

Në dosjen hetimore thuhet se familjarët Xhepmetaj nga Burreli ka sjellë nënën e tij në Spitalin Onkologjik të Tiranës, në QSUT.

Atyre u është afruar një nga koordinatorët e Onkologjikut, Emiljano Lela, i cili u ka sugjeruar që, nëse donin të zgjidhnin hallin sa më shpejtë për nënën shumë të sëmurë dhe për të shmangur rradhën, mund të kontaktonin me mjekun Edmond Gashi.

Ky i fundit u ka sugjeruar që nënës t’i bëhej ndërhyrje në klinikën private “Megis”, të administruar nga Halil Gashi, babai i mjekut. Në ndërhyrje, siç rezulton nga hetimi, është përfshirë edhe mjeka tjetër e Spitalit Onkologjik të QSUT-së, Alketa Ymeri (Pepe).

Familjarët Xhepmetaj kanë paguar 2500 euro për ndërhyrje kirurgjikale në klinikën private, për të cilën nuk u gjet faturë tatimore. Më tej, familjarët nga Burreli janë paraqitur sërish tek Onkologjiku i QSUT-së, me qëllim që nëna e tyre të kryente seancat e nevojshme të rrezatimit.

Mjeku onkolog, Edmond Gashi dhe klinika “Megis”, me administrator babain e tij, Halit Gashi 

Ky është rasti i vetëm, i zbuluar nga hetimi 6-mujor i Prokurorisë së Tiranës, të transferimit të pacientëve nga spitali publik në atë privat.

Nëse situata do të ishte realisht e tillë, pra që në 6 muaj u zbulua vetëm një rast abuzimi, atëherë sistemi shëndetësor shqiptar pa frikë do të krahasohej me Suedinë, Danimarkën, Shtetet e Bashkuara apo edhe Britaninë e Madhe. Por, përvoja e mijëra qytetarëve shqiptarë dëshmon se situata është tërësisht e kundërt.

Mesazhet “kompromentuese”

Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar telefonat e disa punonjësve të Spitalit Onkologjik, mes të cilëve edhe të koordinatorit Emiljano Lela.

Në mesazhe lexohet për “ndërhyrje me mik” për tejkalimin e radhës së pacientëve, për pranimin apo kryerjen e veprimeve më shpejt për njerëz të njohur, e të tjerë.

Mesazhet, natyrisht janë të një natyre kompromentuese, por, deri në këtë fazë të hetimit, nuk rezulton të jenë gjetur prova konkrete korrupsioni, pagesa parash nga pacientë apo familjarë të tyre për këto “shërbime me përparësi”.

Nga ana tjetër, në mesazhe lexohen edhe “batuta” mes stafit të Onkologjiku, ku dikush i drejtohet kolegut/koleges së tij, me shumë mundësi mjek/mjeke:

Shih të shkosh në Tajlandë me pushime tani. …Hë mo se nuk shkon shumë, 1500 euro. Pesë operacione në javë dhe i kap ti….”.

Pjesë nga mesazhet e sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës 

Ky komunikim, si edhe të tjerë të ngjashëm, krijojnë dyshimet se anëtarë të ndryshëm të stafit të Onkologjikut, mjekë e administratë, janë të përfshirë në veprime korruptive.

Megjithatë, deri më tani, nga prokuroria e Tiranës nuk është siguruar prova për korrupsion. Kjo konfirmohet edhe nga masat e buta të sigurisë, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e cila është larg veprës së “korrupsionit”.

Për veprimet e dyshuara të paligjshme me trajtimin e pacientëve, gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, ka caktuar masat e sigurimit “arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi dhe koordinatorin e Onkologjikut, Emiljano Lela.

Ndërsa, për këtë situatë, nën masë sigurimi “detyrim për paraqitje”, për mjeken Alketa Ymeri (Pepe). Nga ana tjetër, edhe Halim Gashi, babai i mjekut Edmond Gashi, që rezulton si administrator i klinikës “Megis” është nën masën e “detyrim për paraqitje”, nën dyshimet e kryerjes së veprës penale të “Fshehjes së të ardhurave”.

Farmacitë, mbyllja e ciklit

Cikli i skemës abuzive të Onkologjikut mbyllet tek disa farmaci të caktuara, të cilat sheshin medikamente të dedikuara ekskluzivisht për Spitalin Onkologjik dhe që nuk janë në qarkullim të lirë.

Hetimi i Prokurorisë ka identifikuar të paktën një rast, kur një qytetar është detyruar të blejë medikamentin “Valmor” në shumë 1300 euro në farmacinë “Flori”, pa pullë fiskale dhe i hyrë kontrabandë. Nga verikimet e Policisë Gjyqësore, rezulton se medikamenti është prodhim turk, por me bar-code të prishur, gjë e cila pamundëson gjurmimin e tij.

Bazuar në këtë situatë, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës “arrest në shtëpi” për pronarin e farmacive “Flori”, Florian Marku, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “Transportit dhe tregtimit të mallrave kontrabandë”.

Prokuroria e Tiranës zbuloi se farmaci “Flori” me pronar Florian Marku shiste medikamente për trajtimin e tumoreve kontrabandë 

Megjithë dyshimet për transferimin e medikamenteve nga Farmacia Spitalore drejt farmacive private, hetimi i deritanishëm nuk ka arritur të zbulojë raste konkrete.

Në dosjen hetimore të siguruar nga “Boldnews.al” pranohet diçka e tillë.

“Nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se punonjës të këtij departamenti, ku rolin kryesor e ka kryeinfermieri i pavionit, pasi marrin programin e plotë për kurën e një pacienti dhe ky medikament sigurohet nga shteti,… nuk e lënë të gjithë kurën e plotë për trajtim por një pjesë e kësaj kure nxirret për t’u blerë jashtë spitalit. Një medikament për kimion është shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 Euro deri në 1500 Euro.

Përvec rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregëtohet jashtë ambienteve spitalore që është e palejuar në legjislacion, ka dhe raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel si “Kapa” ku bëhet dhe përzierja e medikamenteve të kimios mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shumë monetare mund të tërheqi medikament dhe pse nuk është rradha e tij për, kurim por në listën e pristjes është një person tjetër”.

Pasi është siguruar ky informacion në rrugë operative, Prokuroria thotë në dosjen e dërguar në gjykatë se “…nga ana e policise gjyqësore është vazhduar, duke mbledhur një informacion më të saktë në lidhje me barnat më të kërkuar për Kimioterapinë dhe mënyrën se si barnat dalin dhe shiten jashtë spitalit….”, pa pasur rezultate konkrete deri në këtë fazë të hetimit.

Hetim i përciptas për aparatin e Kobaltit

Gjatë hetimit për abuzimet e stafit mjekësor, Policia Gjyqësore u informua edhe për një problematikë tjetër therëse në Spitalin e Onkologjikut-prej një kohe të gjatë nuk funksiononte aparati i Kobaltit.

 Kjo pajisje mjekësore kryen trajtimin e pacientëve tumoralë me radio-terapi, një procedurë shumë e nevojshme për kontrollin e sëmundjes.

Këtë problem e ka ngritur më herët edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të hartuar vitin e kaluar, i cili është cituar edhe në dosjen penale të Prokurorisë së Tiranës.

Në atë raport, KLSH shkruante: “Pas daljes nga funksioni të pajisjes së vjetër, në 2 nëntor 2022, 200 pacientë, që janë të prekur nga tumori i lëkurës nuk e kanë marrë shërbimin me radioterapi”.

Në vijim, Prokuroria e Tiranës citon edhe një tjetër paragraf: “KLSH ka bërë direkt fajtore drejtorinë e QSUT për mosgjetjen e kushteve për vendosjen e aparatit të ri.

 Nga ana tjetër KLSH në përfundim shprehet se mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve, duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër duke treguar se shërbimi i spitalit onkologjik nuk ka efektivitet të plotë për trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim”.

 

Konstatimet e KLSH-së për mungesën e aparatit të Kobaltit 

Hetimi i deritanishëm nuk ka arritur të sigurojë dokumentacionin e plotë për procedurën se si është siguruar pajisja e Kobaltit dhe përse ajo nuk funksionon.

Zyrtarët administrativë të QSUT-së, të pyetur nga Prokuroria, justifikohen me faktin se procedurat janë ndjekur nga anëtarë të stafit, të cilët tashmë nuk janë më pjesë e Qendrës Spitalore.

Megjithatë, prokuroria ka vlerësuar si një ndër përgjegjëset e kësaj situatë zv.drejtoreshën e QSUT-së e ngarkuar edhe me Shërbimin e Onkologjikut, Brikena Qirjazi, ndaj të cilës është vendosur masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Megjithatë, deklarimet e Qirjazit në Prokurori, dëshmojnë se hetimi, të paktën i deritanishëm, është i përciptas. Ajo deklaron se përgjegjësia e saj për funksionimin e pajisjes së Kobaltit limitohet deri tek njoftimi i strukturave eprorë për nxitjen e gjetjes së rrugëve për ta vendosur në punë.

Dhe, sipas saj, ajo ka njoftuar drejtorinë e QSUT-së dhe kjo e fundit duhet të njoftonte Ministrinë e Shëndetësisë, për të kontaktuar me ekspertë ngë Instituti Shkencor i Vjenës, të cilët janë ekspertët për këto lloj aparaturash.

Aparatura e Kobaltit për Radio-Terapi (foto ilustruese) 

Duket qartësisht se filli i përgjegjësive ka mbetur deri tek zv.drejtoresha Qiriazi, ndërkohë që skandali përfshin struktura akoma më të larta. Procedurat e sigurimit dhe më tej mos-funksioni i pajisjes së Kobaltit përfshin periudha kur QSUT është drejtuar nga Enkelejd Joti, Albana Fico dhe aktualisht, nga Alma Cani.

E njëjta periudhë kohore përfshin drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë nga Ogerta Manastirliu dhe tashmë nga Albana Koçiu.

Madje, kjo e fundit, deklaroi pas publikimeve nga Prokuroria e Tiranë se “Ngjarja patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori”.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, u shpreh “e neveritur” pas fakteve të zbuluara nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës 

Përtej “neverisë”, ministrja Koçiu nuk dha asnjë sqarim dhe nuk mbajti asnjë përgjegjësi, për sa i takon pozicionit të saj, lidhur me pajisjen e Kobaltit, mungesa e të cilit është shumë herë më dëmtues për shëndetin e pacientëve, se sa ‘shpërdorimi i detyrës” nga mjekët dhe stafi i Onkologjikut.

Deri më tani, përgjegjës për mosfunksionimin e pajisjes së Kobaltit janë identifikuar, krahas zv.drejtoreshës Brikena Qiriazi, edhe ish-ekspertja fizikante e QSUT-së, Drilona Kishta, për të cilën është caktuar masa e sigurimit “detyrim për paraqitje” në mungesë, pasi prej vitesh gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dokumentat e pjesshëm, të zbuluara nga Prokuroria e Tiranës për procedurat e marrjes së aparaturës së Kobaltit kanë të shënuar vetëm emrin e zonjës Kishta, ndërkohë që një sipërmarrje e tillë, logjikisht, përfshin struktura shumë më të rëndësishme publike se sa një specialist e thjeshtë.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, megjithëse jo i pari, është ndër të rrallët në llojin e tij, pasi ka prekur abuzimet spitalore, të cilat pacientët dhe familjarët e tyre i vuajnë në mënyrë permanente dhe mund të ndikojë në “frikësimin” e abuzuesve të tjerë.

Por, nga ana tjetër, veprimet e deritanishme sipërfaqësore, mbartin rrezikun që skandali real, ai që përfshin struktura shumë më të larta drejtuese të shërbimit shëndetësor shqiptar, të “taposet” deri këtu, deri në nivelin e dy-tre mjekëve dhe stafit administrative.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *