Tregtarët e godinës 12-katëshe “Metropol” në Lushnje, shprehen të shqetësuar në lidhje me gjendjen e rënduar nga flakët që zgjatën për gati 10 orë. Disa prej tyre thonë se kanë pësuar humbje të mëdha dhe se nuk ka mbetur asgjë nga malli i tyre brenda në njësinë tregtare.
Ata shprehen me rezerva për forcat zjarrëfikëse, që sipas tyre nuk kishin mjete për tu përshtatur me lartësinë e godinës.
Nga ana tjetër një grua, pronare e një dyqani, bën me dije se në atë godinë ushqeheshin gati 500 familje nga qyteti, ku sipas saj dëmi i krijuar është katastrofik.
E keni të siguruar mallin?
“Jo, nuk gjej fjalë ta përshkruar, ushqehen 500 familje në këtë qendër, është dëm katastrofik. Nuk isha i pranishëm në ngjarje, zjarrfikësit me ato mjete që kishin, që nuk ishin të përshtatshme as për lartësinë e objektit, nuk ka ngelur asgjë. Kur ra zjarri ishte një periudhë kohe që nuk kishte shumë njerëz për momentin”, tregoi pronarja e një dyqani.
Një tjetër qytetare, me lot në sy e quan ngjarjen një katastrofë të madhe, pasi dëmet në biznesin e saj janë të mëdha.
Si e përjetuat?
“Shumë keq, vazhdojmë ta përjetojmë keq, katastrofë e madhe, po të paktën nuk ka humbje jete, kjo është kryesorja. Mbase do të rregullohet. Për fikjen e zjarrit ishte një punë kolosale, tani nuk dimë asgjë se nuk e kemi parë asgjë brenda”, u shpreh qytetarja.
Sipas autoriteteve, 39 persona si dhe tre zjarrfikës u dërguan drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore.