25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

A do e ndalë BSH “rrokullisjen” e euros nën 100 lekë?/ Hoxholli: Këtë vit, përmes ankandeve, synohet të blihen 250-330 mln euro

Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut prej javësh po ruan një stabilitet të pazakontë në raport me tendencat e viteve të fundit. Këmbimi i monedhës europiane pranë nivelit të 100 lekëve po mbahet nën monitorim nga Banka e Shqipërisë.

Institucioni qendror nuk dëshiron të lejojë rënien e kursit poshtë këtij niveli, që në njëfarë mënyre përfaqëson një kufi të rëndësishëm edhe psikologjik. Në një intervistë për SCAN tv, zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Politikave Monetare pranë Bankës së Shqipërisë Rajna Hoxholli, ka thënë se me objektiv rritjen e rezervës valutore, synohet të blihen përmes ankandeve 250-330 milionë euro gjatë vitit 2024.

“Ne s’kemi objektiv kursin e këmbimit, por kjo nuk do të thotë se nuk e monitorojmë dhe e përfshijmë në analizat dhe parashikimet tona. Por ndërhyrja jonë është për aq kohë sa kursi i këmbimit ndikon në ecurinë e këmbimit dhe stabilittein financiar, se pikërisht janë 2 aspekte që ne i monitorojmë dhe kontrollojmë me instrumentet tona. Kështu në mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ndikimi rënies që ai pati në inflacion gjatë viteve të fundit, e kemi faktorizuar në politikën tonë monetare.

Ne ndoqëm një trajektore normalizuese të saj më të ngadaltë, po ashtu rritëm rezervat për të blerë rezervë valutore në momentet kur patëm prurje të larta valute gjatë vitit të shkuar dhe së treti, vijojmë të këshillojmë publikun që të tregohen të kujdesshëm përsa i përket hyrjes në marrëdhënie ku kanë ekspozim me kursin e këmbimit.

Reagimi ynë do të vijojë të ruajë të njëjat parime, ashtu si dhe vitet e kaluara. Këtë vit ne kemi një target rezervë për blerjen e rezervës valutore më të lartë në nivelet e 250-330 mln euro më e lartë se vitin e kaluar, por në dallim nga viti 2023, kemi një inflacion më të ulët dhe kjo do të mbetet në vëmendjen tonë”- thotë Rajana Hoxholli, zv. Dr. e Politikës Monetare në BSH.

Por cili është opinioni i FMN dhe rekomandimet në lidhje me kursin e këmbimit sipas Hoxhollit.

“Stadi i zhvillimeve në tregjeve tona financiare, ne vlerësojmë që efektiviteti i normës bazë të interesit është pikërisht në kontrollin e inflacionit. FMN bëri 3 observime, 1) regjimi i lirë i kursit të këmbimit i shërben ekonomisë shqiptare si një amortizues 2) Forcimi i kursit të këmbimit është si posojë e përmirësimeve strukturore në sektorin e jashtëm të ekonomisë 3) Zhvillimet e fundit të kursit të këmbimit gjatë 2023 nuk kërkonin ndërhyrje”- shton znj. Hoxholli.

Sipas aktorëve të tregut valutor, flukset valutore në treg janë të larta dhe në mungesë të ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë, euro do të kishte zbritur patjetër poshtë kufirit të 100 lekëve. Ligjërisht, Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Megjithatë, në raste të veçanta Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në kursin e këmbimit, për të shmangur çregullimet në tregun valuator, ose kur një ndërhyrje e tillë mund të justifikohet në funksion të objektivit të inflacionit.

“Nivelet në një regjim të lirë të kursit të këmbimit nuk janë shumë domethënëse në veten e tyre. Më domethënëse në ekonomi janë arsyet që çojnë në këto nivele. N.q.s kursi i këmbmit do të jetë prapë shprehje organike e një ekonome që po rritet, po performon mirë, që ka turizëm, nuk është problematike kjo është pozitive pavarësisht prekjes së sektorëve të veçantë”- ka thënë Hoxholli.

Për ekspertët e ekonomisë, rënia e mëtejshme e kursit do të dëmtonte edhe më shumë konkurrueshmërinë e industrive eksportuese, por edhe sektorin e turizmit, që në vitet e fundit po shënon një rritje me ritme shumë të larta.

Scan Tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *