12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

A i korruptoi Rama amerikanët apo politika e jashtme amerikane është një “derë rrotulluese” që mund të shtyhet me anë të interesave ekonomike?

Irena Beqiraj
Politika e jashtme është politika më pak demokratike nga të gjitha politikat e qeverisë amerikane. Ajo është larg interesave dhe shqetësimeve të elektoratit të përgjithshëm dhe si e tille historikisht ka qenë vetëm prerogativë e degës ekzekutive.

Në mungesë të interesit ose llogaridhënies ndaj elektoratit amerikan, grupet e interesit (duke përfshirë liderë edhe qeveri të huaja) kanë pasur mundësi të ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në vendimmarrjen e qeverisë amerikane në Uashington, nëpërmjet lobimit, interesave ekonomike, por më së shumti nëpërmjet pagesave të drejtperdrejta të kryera ndaj ish zyrtarëve amerikanë.

Të dhënat tregojnë se lobimi i qeverive të huaja është zgjeruar shumë gjatë dekadës së fundit. Që nga viti 2016 shpenzimet për lobim vlerësohen në shumën 4.1 miliardë dollarë dhe numerohen rreth 2,913 lobistë të rinj të regjistruar. Katër vendet e Lindjes se Mesme janë ndër dhjetë shpenzuesit kryesorë në lobim. Sipas nivelit të shpenzimeve ato renditen: Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Izraeli.

Një tjetër mjet i perdorur gjeresisht në ushtrimin e” pushtetit të butë ” sidomos pas ardhjes së Trump në pushtet janë investimet në biznese edhe institucione financiare amerikane, ku më i spikaturi ka qenë Fondi i Investimeve Publike (PIF) i kryesuar nga Princi i Kurorës Muhamed bin Salman (MBS). Gjatë viteve të fundit ky fond ka investuar drejtpërdrejt mbi 7 miliardë dollarë në institucionet ekonomike, sociale dhe kulturore amerikane.

Por thembra e vërtetë të Akilit në sistemin demokratik të SHBA, e cila po përdoret intensivisht për blerjen e mbështetjes amerikane nga qeveritë e huaja është mungesa e plotë të ligjeve që ndalojnë zyrtarët amerikanë të punojnë ose të bëjnë biznes me një qeveri të huaj pas largimit nga qeveria amerikane. Për më tepër nuk ka asnjë ligj që i ndalon zyrtarët amerikanë të takohen me lobistët apo të punojnë për qeveri të korruptuara abuzive, apo jo demokratike .

Përshembull fondi i investimeve të Arabisë Saudite ka bërë pagesa mahnitëse për ish-zyrtarët e administratës Trump, duke përfshirë 2 miliardë dollarë për Fondin e investimit privat të Jared Kushner ( që pritet të shumfishojë fitimet me anë të investimeve në Serbi edhe në Shqipëri) dhe 1 miliard dollarë për firmën ish-sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin. Po i njejti fond ka bërë gjithashtu pagesa shumë milionëshe, nëpërmjet LIV Golf, në resortet e golfit në pronësi të ish-presidentit Donald Trump.

Përveç kësaj, siç raporton ” ëashington Post” që nga viti 2016, të paktën 500 vetë në pension nga personeli i institucioneve ushtarake edhe të sigurisë amerikane kanë marrë punë fitimprurëse duke punuar për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe qeveri të tjera të huaja. Apo që nga viti 2016, 15 gjeneralë dhe admiralë amerikanë në pension kanë punuar si “konsulentë” me pagesë të lartë për Ministrinë e Mbrojtjes saudite, me miratimin e qeverisë amerikane.

Nisur nga fushpamja jonë e ngushtë e vendit te vogël, “Rama ka berë atë që nuk e ka berë njeri ” ka korruptuar Amerikën e madhe. Ai arriti të blejë Mcgonigal apo po blen Trump, për interesa të pushtetit te tij. Për fatin e tij të keq as këtu nuk ka ndonjë meritë të vecantë. “Lideri vizionar” i Grenellit , apo “Kryeinistri model” i Blinkenit, nuk ka bërë gjë tjetër vecse si qindra lider të tjerë ka mësuar të blejë mbështetje duke shtyrë një derë rrotulluese e cila, lëviz lehtësisht me anë të interesave ekonomike.

Megjithëse refuzojmë ta pranojmë ka ardhur koha ta ngulisim në kokë se pas ” një lideri të shpallur vizionar nga të huajt” ka gjithmonë një faturë të majme !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *