30 Nëntor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ahmetaj: Akti II i tragji-komedisë së politiko-drejtësisë : Dosja “Buka” sh.a.

Arben Ahmetaj

…“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”!

Për cilindo ka interes dhe kuriozitet qytetar të kuptojë më në detaje çfarë ka ndodhur në këtë procedurë privatizimi, gjykova të ndaj me ndjekësit e mi në këtë dritare të përbashkët komunikimi, në të cilën janë pjesë me dëshirën e tyre, disa fakte që do të hidhnin dritë mbi hijet e “sensacionit” më të fundit mediatik për “Dosjen e bujshme nr. 2”, ose privatizimin e aksioneve shtetërore të shoqërisë “Buka” sh.a.

Së pari, rasti i “Buka” sh.a., është ndër të paktat herë në një procedurë privatizimi ku aksionet e shtetit jo vetëm ruhen, por rriten me disa herë në vlerë, ose thënë ndryshe, shteti përfiton më shumë të ardhura. Pra, të nderuar gazetarë e media që raportoni për dëm ndaj shtetit në vlerën 7 mld lekë të vjetra etj, etj., lexoni, ju lutem. Të ngatërrosh dëmin me përfitimin, nuk është aspak në nivelin e dinjitetit të punës suaj. Si mundet, gjithsesi, t’i shkaktohet dëm buxhetit të shtetit nëse aksionet shtetërore rriten?? E kundërta do të ishte e vërtetë.

Së dyti, cilat janë momentet kyçe në këtë çështje:

o 2004 – Procedura e privatizimit të shoqërisë “Buka” sh.a, nis në vitin 2004 (pra thuajse 20 vite më parë) nga Ministria e atëhershme e Ekonomisë dhe Privatizimit (Urdhri nr. 11 datë 21.01.2004).

o 2005-2006 – Pas një kërkesë padie të familjes Myderizi, si pronarë të aksioneve nga trualli me sipërfaqe 6,370 metër katrorë në pronësi të tyre, Gjykata e shkallës së parë në vitin 2005 (Vendim 3361, datë 30.05.2005) dhe më pas Gjykata e Apelit me Vendim të formës së prerë (nr. 803, datë 27.06.2006) vendosën anulimin e urdhrit të vitit 2004 dhe ngarkuan Ministrinë e Ekonomisë të nxirrte aktin administrativ për caktimin e formulës së privatizimit të shoqërisë “Buka” sh.a, pasi të bënte përcaktimin dhe transferimin e aksioneve të familjes Myderizi, në vlerën e tregut.

o 2014 – Në zbatim të vendimit të Gjykatës dhe sipas ligjeve në fuqi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), të cilën e kam drejtuar në atë kohë, nisi procedurën për privatizimin e paketës së aksioneve shtetërore në shoqërinë “Buka” sh.a. duke kërkuar gjithashtu përcaktimin e vlerës së paketës së aksioneve shtetërore në këtë shoqëri dhe caktimin e grupit të ekspertit kontabël të autorizuar dhe të ekspertit të vlerësimit. (Shkresa 322/2 datë 30.01.2014).

Raporti i ekspertit kontabël dhe ekspertit të vlerësimit, në Prill të vitit 2014, i kryer në bazën e ligjit per “Tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, “Për auditim ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar” dhe “Për qendrën kombëtare të regjistrimit”, ka përcaktuar përqindjet dhe formulën e privatizimit të aksioneve shtetërore si dhe aksionet që do t’u transferohen ish-pronarëve. Sipas vlerësimit të ri: (1) përqindja e aksioneve të ish-pronarëve u rrit në 4.73% të kapitalit të shoqërisë, nga 3.12% që ishte më parë, për sipërfaqen e tokës prej 8,320 metër katrorë, (nga të cilët 6,370 metër katrorë të familjes Myderizi) përmes korrektimit të sipërfaqes dhe vlerës së truallit. (2) Vlera e aksioneve të shoqërisë u rrit duke reflektuar vlerën e tregut nga 844.2 lek/aksion në 2,599.4 lek/aksion, ose një rritje prej 300%. Rrjedhimisht, paketa e veçuar për ankimuesit ish-pronarë të truallit në rrugën 5 Maji është rritur, pas rivlerësimit me vlerën e tregut, me 300%.

MZHETS vuri në dispozicion të ish-pronarëve (përfshirë familjen Myderizi) paketën takuese prej 4.73% të aksioneve të shoqërisë, duke e veçuar atë nga paketa e aksioneve në pronësi të shtetit pra 45.977%, të cilën e nxori për privatizim.

o Qershor 2014 – Gjykata Administrative Tiranë rrëzoi kërkesën e familjes Myderizi për masë sigurimi të aksioneve të shoqërisë, anulimin e ankandit për privatizimin e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit dhe anulimin e Urdhrit 382/2014 të Ministrit të MZHETS. Që do të thotë, që Ministria e Ekonomisë mund të vijonte procedurën.

o 18.06.2015 – Pas dorëzimit të kërkesës për privatizim dhe dosjes së privatizimit nga Ministria e Ekonomisë dhe vlerësimit të saj në bazë të ligjit, Ministria e Financave zhvilloi ankandin për privatizimin e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit të shoqërisë “Buka” sh.a.

o 2017 – Familja Myderizi vijoi betejën e saj ligjore duke e apeluar cështjen në Gjykatën Administrative të Apelit. Në nëntor 2017, kjo e fundit duke mos rënë dakord me vlerësimin e kryer nga eksperti i pavarur, (Vendimi 4959, dt. 30.11.2017) vendosi shfuqizimin e Urdhrit 382/2014 dhe procedurës së ankandit të 2015. Pyetja është, a përgjigjet Ministri për vlerësimin e ekspertit kontabël të autorizuar dhe ekspertit të vlerësimit? Jo. Ligji për privatizimin e shoqërive në sektorët jo-strategjikë, e ka të qartë procedurën dhe vlerësimin.

o 2018 – Me zbardhjen e vendimit të Gjykatës, si Ministër i MZHETS, urdhërova (Urdhri nr.303/2018) shfuqizimin e Urdhrit 382/2014 dhe shfuqizimin e procedurës së ankandit të datës 18.06.2015. Këtu përfundon edhe dijenia ime mbi këtë procedurë, pasi nga janari 2019, jam larguar nga pozicioni i Ministrit të Financave.

Në konkluzion:
1- Ministri i Ekonomisë është përgjegjës për zhvillimin e politikave të privatizimit të pronës shtetërore dhe inicimin e procesin e privatizimit në përputhje me ligjet në fuqi.
2- Ministri nuk është përgjegjës per vlerësimin e aksioneve shtetërore në shoqëritë tregtare që veprojnë në sektorët jo-strategjikë. Kjo detyrë iu caktohet ekspertëve, eksperti kontabël i autorizuar dhe eksperti i vlerësimit, të cilët janë të pavarur, të licensuar dhe kanë përgjegjësi ligjore për vlerësimet e kryera.
3- Eksperti kontabël i autorizuar dhe eksperti i vlerësimit bëjnë raportin e vlerësimit të shoqërisë dhe e dorëzojnë në Ministrinë e Ekonomisë.
4- Ministria e Ekonomisë dorëzon në Ministrinë e Financave kërkesën për shitjen e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit, shoqëruar me dosjen përkatëse të privatizimit.
5- Ministria e Financave bën vlerësimin në përputhje me ligjin dhe zhvillon ankandin.

Cila është vepra penale në këtë dosje? Ku qëndron shpërdorimi i detyrës? Të akuzohesh për shpërdorim detyre sepse janë mbrojtur aksionet e shtetit? Akuzohem se i kam bërë dëm privatit? Se si Ministër i Ekonomisë dhe rrjedhimisht përfaqësues i pronarit shtet (Këshilli i Ministrave), kam mbrojtur interesat e shtetit, ndërsa privati ka marrë pjesën që i takon sipas vlerësimit të pavarur që iu bë shoqërisë shtetërore me kërkesë të MZHETS?

Eksperti kontabël dhe ai i vlerësimit, vlerësuan në 2014 se nga viti 2004 vlera e truallit ishte trefishuar. Rrjedhimisht, vlera e shoqërisë u rrit, por edhe shpërndarja e aksioneve ndryshoi; aksionet e privatëve u rritën nga 3.12% në 4.73%, kurse të shtetit u ulën nga 50.71% në 45.977%. Vlera e aksioneve u rrit me 300%, duke reflektuar vlerën e tregut, në zbatim të një vendimi në fuqi të Gjykatës.

Me cilën formulë matematike, aksioneri privat që disponon 4.73% të kapitalit të shoqërisë mund të përfitojë 7 miliardë lekë të vjetra, sikurse pretendon sot, ndërsa e gjithë shoqëria (pra paketa e plotë prej 45.977% % e aksioneve shtetërore e nxjerrë për shitje) është vlerësuar rreth 3.4 miliardë lekë të vjetra?

Me cilën logjikë matematike, 6370 metra katrorë truall që disponon familja Myderizi, janë më shumë se 30 mijë metra katrorë truall dhe mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore – pa përfshirë këtu asetete e tjera të shoqërisë – në pronësi të shtetit?

Nëse do të pranonim pretendimin e familjes Myderizi, që pjesa takuese e aksioneve të tyre të vlerësohej si sipërfaqe e veçuar dhe jo si pjesë e aseteve të kapitalizuara të shoqërisë tregtare, gjë të cilën ligji nuk e lejon, do të duhej të veprohej njësoj për të gjithë aksionerët e tjerë të shoqërisë sipas parimit të barazisë mes aksionerëve. Jo vetëm do të ishim në shkelje të ligjit, por shteti shqiptar do të rezultonte me ZERO aksione, nga shumica prej 45.977% që kishte në zotërim. Kjo po qe do ishte shpërdorim detyre!

Së fundi, pjesëmarrja në ankand për privatizimin e aksioneve në pronësi të shtetit, është e hapur, e pakufizuar dhe cilido mund të marrë pjesë, përfshirë familjen në fjalë. Ministria e Financave, përmes agjensisë për privatizimin e pronës shtetërore, bën edhe filtrimin në aspektin juridik dhe plotësimit të kritereve ligjore të dosjes, para zhvillimit të ankandit.
***
Kjo është dosja e famshme e privatizimit të shoqërisë Buka sh.a për ata që duan të kuptojnë të vërtetën. Më gjeni nëse mundeni, ku është shkelur ligji nga ana ime si Ministër i Ekonomisë?

Dhe si ka mundësi që lajmi doli së pari në mediat e inceneratorëve? E bëjnë për presion? Për të më penguar të flas? Nuk do ndodhë…

Por mund të ndodhë, ndoshta, që të thyej një rekord në raport me drejtësinë shqiptare, të bëhem i pari zyrtar që akuzohem për shpërdroim detyre sepse kam mbrojtur në bazë të ligjit, aksionet dhe interesin e shtetit…Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *