15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Akciza asgjëson fabrikat e birrës, prodhuesit vendas kthehen në importues

Qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë do të pinë birrë importi me etiketë të kompanive vendase. Kjo është situata në të cilën po shkojnë prodhuesit e birrës, si pasojë e unifikimit të akcizës në Janar të vitit 2023 për prodhuesit nën 200,000 Hl në 710 lekë për HL. Në një intervistë për SCAN, Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Vendase, Stefan Pinguli shprehet se kanë nisur kontrata e para me Spanjën dhe Serbinë për blerjen e këtij produkti.

“Kompanitë po fillojnë të marrin birrë nga jashtë. Po nënshkruhen kontrata me spanjollët dhe serbët dhe i vënë emrin e tyre. Po kthehemi në treg importi. Nga ana tjetër sipërmarrësit po tentojnë të shesin fabrikat me një vlerë shumë më të ulët.”

Sipas Pingulit, nga vendosja e kësaj takse, pasojat për industrinë kanë qenë të rënda dhe janë reflektuar në ulje prodhimi me 20 për qind, shkurtim të fuqisë punëtore dhe rritje çmimesh.

“Pasojat janë formale dhe jo formale. Prodhimi i vendit ka rënë me 20 % dhe ka elementë edhe të padukshëm në këtë pjesë. Është zvogëluar numri i punonjësve, ka pasur mungesë investimesh për të balancuar kostot e prodhimit. Është ulur mundësia për të investuar dhe modernizuar fabrikat, për të qenë konkurrentë në raport me markat e huaja.”

E ndërsa Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar seancën e parë të shqyrtimit të padisë për shfuqizimin e ligjit të akcizave i cili ka penalizuar këtë industri, prodhuesit shpresojnë në një vendim të drejtë në favor të biznesit.

“Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të arrijë të bindë qeverinë që të tërheqë ligjin dhe të ketë një proces gjithëpërfshirës. Ka disa mënyra që mund të ndërhyhej pa pasur këto pasoja. Rritja mund të bëhej për një periudhë të paktën 10 vjeçare. Mos të bëhej deri në 2000.000 HL, por të ishte e ndarë në faza si në Gjermani”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht birra e importuar dominon tregun me 59 %, trend i cili mesa duket do të vijojë të rritet.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *