6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

AKEP autorizon Vodafone dhe ONE për teknologjinë 5G

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka dhënë autorizimin për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz nga Vodafone dhe One Albania, duke i hapur kështu rrugën zbatimit të teknologjisë 5G në vendin tonë.

Ky vendim erdhi pas realizimit me sukses të tenderit publik mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400 – 3800 MHz, i cili u hap më 30 gusht dhe u mbyll me 10 tetor. Me shpalljen fitues, Vodafone dhe One Albania kanë shlyer pagesat përkatëse në buxhetin e shtetit dhe në llogarinë e AKEP-it.

Sipas kushteve të autorizimit, dy operatorët janë të detyruar që përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit duhet të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike, ndërsa përparësi për sa i takon mbulimit do të kenë edhe zonat e rëndësisë së veçantë, ku përfshihen zonat turistike, parqet kombëtare, rrugët, autostradat e tunelet dhe zona të përfshira në projekte zhvillimore të ndryshme.

Më konkretisht, deri në fund të vitit të ardhshëm, Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, Sarandës, Porto Romanos, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i Kukësit, Vlorës, Zona industriale Tiranë – Durrës, si dhe Qendrat Spitalore të Tiranës, do të kenë mbulim me shërbimin 5G në brezin e autorizuar, pjesë e spektrit 3.4 GHz – 3.8 GHz.

AKEP-i pritet të vendosë në përdorim së shpejti brezin tjetër kryesor të 5G-së, brezin 700MHz për sektorin e komunikimeve elektronike, menjëherë pas lirimit të tij nga mediat audiovizuale, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe të popullsisë me shërbim cilësor 5G.

5G-ja është gjenerata e pestë e rrjeteve celulare, e cila ofron shpejtësi interneti 100 herë më të lartë se 4G.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *