Ish-deputetja Monika Kryemadhi, sot në një deklaratë për mediat, ka treguar pamjet me dron nga landfilli i Tiranës, ku tregon se depozitimi i dherave është bërë jashtë koordinatave të inceneratorit të Tiranës.
Sipas Kryemadhit, Veliaj ka detyruar firmat e ndërtimit t’i paguajnë 60 milionë euro inceneratorit të Tiranës.
Dherat e prodhuara nga ndërtimi, ndërtuesit ishin të detyruar t’i çonin në inceneratorin e Tiranës, kundrejt pagesës.
Skandali thellohet pasi Kryemadhi deklaron se dherat janë hedhur jashtë Landfillit, jashtë lejes së ndërtimit.
Kjo për Kryemadhin përbën dy fakte skandaloze:
1.Bashkia Tiranë ka ndikuar përmes një skeme kriminale, që bizneset private të lidhura me bashkinë, pasi firmat e ndërtimit janë të lidhura që nga momenti i parë i marrjes së lejes deri në përfundim të punimeve me Bashkinë Tiranë, që të dërgonin para në llogarinë bankare të inceneratorit. Më pas këto para, nëse ndiqen mund të rezultojnë që janë dhënë nga inceneratori për llogari të drejtorëve të bashkisë apo dhe të zyrtarëve të qeverisë.
2.Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesat, ndërsa dherat i ka depozituar jashtë lejes së ndërtimit. Roli i koncesionarit ka qenë përfitimi i pagesave dhe jo realisht depozitimi i dherave.