14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Albanian Courier zhyt në kolaps tregun e blerjeve online/ Mijëra qytetarë nuk marrin dot dërgesat, kaos në postë

Mijëra qytetarë që bëjnë blerje online përmes internetit prej më shumë se një muaji po përballen me një kaos të paprecedentë për marrjen e porosive. Mbërritja e pakove të blera nuk njoftohet, ndërkohë që shumë prej tyre humbasin me ditë të tëra.

Në themel të kaosit qëndron një kompani shqiptare e quajtur United Transport, që në publik njihet më shumë si Albanian Courier. Prej më shumë se një muaji, kjo kompani ka arritur të shtjerë në dorë biznesin e dërgesave të blerjeve online nga platforma Aliexpress, një shërbim që më parë e ka patur Posta Shqiptare.

Aliexpress është një nga platformat më të mëdha në botë për blerjet online me bazë në Kinë. Kjo kompani rezulton të jetë edhe më e përdorura nga qytetarët shqiptarë që bëjnë blerje online për shkak se i ofron produktet me çmime më të lira se konkurrentët e saj të mëdhenj, si Alibaba apo Amazon. Përtej kësaj, Aliexpress u mundëson qytetarëve që të bëjnë blerjet në lekë, pa patur nevojë të këmbejnë valuta të huaja.

Deri një muaj më parë, pakot e blera në internet vinin në Shqipëri përmes Postës Shqiptare. Por paprimtas, një pjesë e madhe e biznesit të dërgesave i kaloi kompanisë Albanian Cargo Service. Burime nga Posta Shqiptare i thanë Kapitalit se kjo është bërë e mundur falë një marrëveshje që kompania United Trans ka lidhur përmes Hungarisë me Aliexpressin.

Pas publikimit të shkrimit, kompania United Transport reagoi për Kapitalin duke deklaruar se AliExpress zgjodhi të punojë me të për shkak të shërbimit cilësor, kundrejt asaj që kishte deri më tani në Shqipëri. “Përzgjedhja jonë nga tregtarët online nuk është rastësi; ajo vjen si rezultat i përkushtimit tonë për cilësi, investimeve në teknologji dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve,” deklaroi United Transport. 

Tregu total i blerjeve online në Shqipëri vlerësohet në rreth 1.5 miliardë euro në vit. Këtu përfshihen jo vetëm mallrat, por edhe shërbimet e ndryshme deri tek biletat e avionit që qytetarët blejnë online. Megjithatë pjesa më e madhe e këtij tregu dominohet nga blerjet e mallrave përmes internetit.

Problemet me dorëzimin e pakove thuajse e kanë zhytur të gjithë këtë treg në një kolaps, teksa mijëra qytetarë ankohën papushim, edhe pranë zyrave të postës së ku ndodhen pakot e tyre, pasi shumica nuk e dinë që një pjesë të madhe të tregut tashmë e ka marrë kompania private United Transport.

United Transport

United Transport është një kompani e themeluar në vitin 2007. Aksionerët e saj të maxhorancës, me mbi 85 për qind të aksioneve janë vëllezërit Leka, Edmond dhe Niko Leka, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohet nga disa aksionerë të vegjël. Në vitin 2019, shoqëria u bashkua me përthithje me Albanian Courier.

Edmond Leka, aksioneri kryesor i United Transport

Kompania administrohet nga Geri Piranjani. Kapitali u përpoq të kontaktonte me kompaninë për problemet e tregut, por nuk arriti të merrte një përgjigje nga kontaktet që kompania ka vendosur në faqen e saj zyrtare dhe ato në QKB.

Të dhënat zyrtarë nga bilanci i depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se vitin e kaluar, United Transport realizoi një xhiro prej 1.8 milionë euro duke regjistruar një fitim neto prej 14 mijë eurosh, ndërkohë që në vitet e mëparshme ajo ka qenë vazhdimisht me humbje.

United Trans ka një vlerë totale asetesh prej 8.9 milionë euro, nga të cilat mbi 8.8 milionë euro janë të financuara me borxh, ndërsa kapitali i kompanisë është vetëm 76 mijë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *