21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Anketa e RCC/ 7% e bizneseve shqiptare kane marre fajde

Të dhënat e Barometrit të Ballkanit për vitin 2023, të publikuara nga “Këshilli për Bashkëpunim Rajonal”, tregojnë se bizneset e Ballkanit Perëndimor i financojnë operacionet e tyre kryesisht nga fondet e brendshme.

“Scan Intel” i ka përpunuar të dhënat e burimeve të kapitalit të sipërmarrjeve në vendin tonë, për të parë se cilat kanë qenë burimet të cilat përdorin kryesisht bizneset për financim. Sipas shifrave, 97% sipërmarrësve në Shqipëri janë shprehur se kanë përdorur fondet e brendshme për financim. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka përqindjen më të lartë për normën e vetëfinancimit.

Serbia ndjek e dyta me përqindjen më të lartë të pronarëve të biznesit të anketuar (80%), të cilët janë shprehur se i kanë financuar binzeset e tyre me fondet e brendshme gjatë vitit 2023. Kosova po ashtu regjistron 61% të të anketuarve të cilët janë shprehur se i kanë financuar bizneset nga fondet e tyre.

Përqindjen më të ulët të këtij treguesi e regjistron Mali i Zi, me 30%. Të dhënat për Shqipërinë në edicionin e vitit 2023 tregojnë për një tkurrje të burimeve të tjera të financimit, ndërkohë që këtë vit është rritur përqindja e atyre që kanë thënë se janë financuar me burimet e brendshme.

Të dhënat e barometrit sa i përket aksesueshmërisë në financim tregojnë se 36% e bizneseve të anketuara kanë marrë kredi nga bankat tregtare për vitin 2023.

Kosova ka përqindjen më të lartë në nivel rajoni të këtij treguesi, ku 65% janë shprehur se kanë marrë kredi nga bankat tregtare. Nga ana tjetër, janë 7% e sipërmarrësve shqiptarë të anketuar të cilët janë shprehur se kanë marrë kredi nga burime informale. Në nivel rajoni ky tregues është më i lartë në Kosovë, ku janë rreth 13% të të anketuarve të cilët janë shprehur se kanë marrë borxh nga burime informale.

Një shifër interesante po ashtu është dhe përqindja e të anketuarve të cilët kanë marrë kredi nga bankat e huaja. Shqipëria ka 5% të të anketuarve të cilët kanë marrë kredi nga bankat e huaja, ndërkohë përqindjen më të lartë e kanë të anketuarit në Bosnje Hercegovinë, me 8% të bizneseve të cilët kanë marrë hua nga bankat e huaja.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me përqindjen me të ulët të pronarëve të cilët kanë thënë se kanë përdorur kartat e kreditit si burim për të financuar veprimtarinë e tyre gjatë 12 muajve të fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *