25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bajrami N kërcënoi administratorin e Universitetit të Elbasanit për tenderin 7 mln euro

Administratori i Universitetit të Elbasanit është kërcënuar për llogari të kompanisë Bajrami N, me qëllim që ta shpallte këtë të fundit fituese në tenderin 7 milionë euro për ndërtimin e godinës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore. Lajmi është bërë publik nga një investigim i INA Media.

Tenderi me objekt “Ndërtimi i Godinës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike”, me fond limit 738 milionë lekë u zhvillua tetor të vitit të kaluar. Në të u paraqitën 10 oferta nga kompani dhe bashkime kompanish, ku Bajrami N paraqiti ofertën më të lartë me 676.8 milionë lekë.

Megjithatë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ngritur pranë Universitetit Aleksandër Xhuvani vendosi që t’i skualifikojë të gjitha ofertat. Pas këtij vendimi, kanë nisur kërcënimet nga eksponentë të krimit mbi administratorin e Universitetit, që ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit.

“Burime të besueshme të Shërbimit Informativ Shtetëror referojnë se E. H., është kërcënuar nga Bujar Shega, që të ndikonte për ta klasifikuar fituese kompaninë Bajrami N., sh.p.k. Shega, që njihet ndryshe edhe si Marsel Shega, është i skeduar për lidhje me trafikun e drogës me Suel Çelën.

Lidhja e Bujar Shegës me biznesmenin Bajrami provohet edhe nga udhëtimet e tyre së bashku. Rasti më i fundit, i investiguar nga INA Media, tregohet në sistemin TIMS, ku Bujar Shega ka udhëtuar së bashku me Nazif Bajramin në datën 19 shkurt 2024, ora 12:04, me një makinë Benz (Ac 1… VG), duke dalë nga Shqipëria përmes Qafë-Thanës dhe duke u kthyer së bashku brenda së njëjtës ditë.

I kontaktuar nga INA Media, E. H. nuk iu përgjigj pyetjeve të redaksisë nga kush është kërcënuar. Edhe biznesmeni Bajrami nuk iu përgjigj pyetjeve, nëse kishte probleme me drejtësinë dhe çfarë lidhjesh kishte me Bujar Shegën,” shkruan INA Media.

Tenderi me objekt “Ndërtimi i Godinës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike” u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik, nga dy kompani. KPP vendosi të urdhërojë autoritetin kontraktor që të anullojë këtë tender për ta rihapur sërish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *