4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Balfin merr 26 mln euro kredi tek Intesa për hotelin në Green Coast

Intesa Sanpaolo Bank Albania do të japë 26 milionë euro kredi për grupin Balfin për të financuar ndërtimin e MGallery Hotel në Green Coast. Kredia mbështetet gjithashtu edhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nëpërmjet Marrëveshjes për Ndarjen e Riskut me Intesa Sanpaolo Bank Albania deri në 50% të shumës së investimit.

Alessandro D’Oria, DPE i Intesa Sanpaolo Bank Albania deklaroi se financimi i investimeve në projekte turistike të qëndrueshme është ndër prioritetet e bankës.
“Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij investimi të veçantë. Ne do të vazhdojmë të promovojmë zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri me investime që do të pasurojnë ofertën për rritjen e numrit të turistëve në vend,” tha D’Oria.

Për Intesa Sanpaolo Bank Albania, ky financim klasifikohet si Financim ESG në kategorinë “Ndërtime me efikasitet energjetik” dhe është më i madhi që kjo bankë ka financuar deri më sot në fushën e turizmit. Duke qenë se Hoteli do të jetë një ndërtesë me efikasitet energjetik, vlerësohet se do të ulë konsumin e energjisë me 34.43%. Por kredia e Intesas mbështetet nga BERZH, e cila merr përsipër të shlyejë gjysmën e shumë për bankën në rast se investimi dështon dhe kredia nuk kthehet.

Marrëveshjet për ndarjen e riskut janë një instrument, që fillimisht u përdor nga BERZH në Shqipëri për të nxitur kreditimin e fermerëve për shkak se sektori i bujqësisë perceptohej me risk nga bankat dhe fermerët e kishin të pamundur të siguronin kredi për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Por ndërsa në rastin e bujqësisë, skema nuk ka rezultuar në nxitjen e kredisë, më vonë instrumenti i marrëveshjeve për ndarjen e riskut u shtri edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, përfshirë energjitë e rinovueshme dhe turizmin.

“Jemi të kënaqur të vazhdojmë mbështetjen tonë për turizmin shqiptar. Infrastruktura e qëndrueshme e mikpritjes është thelbësore për rritjen e industrisë dhe nëpërmjet këtij zhvillimi Grupi Balfin dhe Accor po sjellin cilësi dhe standard të lartë në tregun shqiptar” tha shefja e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova.

MGallery është një brand i grupit ndërkombëtar Accor. Ai numëron mbi 120 hotele në 30 vende të ndryshme të botës. Në Palasë, hoteli do të ketë 112 dhoma. Fillimisht ishte parashikuar që ai të përfundonte në nisje të sezonit turistik të këtij viti.

“Zhvillimet e Grupit BALFIN janë rezultat i partneriteteve të forta me institucione financiare të besueshme si BERZH dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania. Si kompani private, ne krenohemi të investojmë në projekte që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit, mbështesin qëllimet strategjike të turizmit të vendit, rrisin standardet dhe krijojnë mundësi punësimi.” tha drejtoresha e Grupit Balfin, Edlira Muka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *