17 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Banka e Shqipërisë: Micro Credit Albanian po e likujdojmë gradualisht

Presioni i lartë publik mbi abuzimet e mëdha të kompanisë Micro Credit Albania, duket se e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të veprojë. Drejtori i Mbikqyrjes në BSH, Deniz Dërralla, deklaroi në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar se kompania është duke u likujduar gradualisht në mënyrë të kontrolluar.

“Nëse ne do të hiqnim licencën menjëherë kompanisë që përflitet publikisht do të kishte me shumë probleme për qytetarët që janë klientë të kësaj kompanie sepse do të hynin në atë qerthullin e detyrimeve të pashlyera. Por të shmangur këtë Banka e Shqipërisë është duke marrë masa graduale si ajo që morëm pak kohë më parë, për ta ccuar këtë kompani drejt likujdimit të kontrolluar,” deklaroi Dërralla në një intervistë për TVSH.

Dy javë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin e liccëncës të kompanisë Micro Credit Albania në aktivitetin e huadhënies.

Kreditë drejt shitjes?
Gjatë kësaj periudhe, subjektit Micro Credit Albania i lejohet vetëm të shesë portofolin e kredive tek palë të treta, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet, si edhe të reflektojë menjëherë në ulje të detyrimit të klientit çdo pagesë të detyrimit nga ana e tij duke bërë dhe përditësimet përkatëse në Regjistrin e Kredive.

Në periudhën nëntor-dhjetor 2023, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë kreu një ekzaminim të plotë të këtij subjekti, me qëllim vlerësimin e situatës pas masës së pezullimit 1-vjeçar të aktivitetit, që ishte vendosur në janar të vitit 2023. Ekzaminimi evidentoi se gjatë periudhës njëvjeçare, subjekti nuk ka blerë apo nuk ka aprovuar kredi të reja, por është angazhuar në rikuperimin e portofolit ekzistues.

Gjatë kësaj kohe, janë adresuar vetëm një pjesë e vogël e rekomandimeve të ekzaminimeve të mëparshme, ndërkohë që janë evidentuar përsëri shkelje të kërkesave rregullatore.

Ndër më kryesoret, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vlerësuar dhënien e informacionit të pasaktë dhe jo të plotë në raportime periodike, në regjistrin e kredive dhe gjatë ekzaminimit në vend, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare, mosklasifikimin e klientëve sipas kërkesave rregullatore për rrezikun e kredisë, mangësi të elementeve të transparencës gjatë plotësimit të akt-marrëveshjeve me klientët, etj.

Banka e Shqipërisë pezulloi për herë të parë licencën e Micro Credit Albania në janar të vitit të kaluar, pasi vlerësoi se subjekti në fjalë kishte vepruar në shkelje të kërkesave rregullatore për një kohë të gjatë, në mënyrë të vetëdijshme dhe duke favorizuar palët e lidhura, më konkretisht institucionin tjetër financiar, Final.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *