6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Banka e Shqipërisë ul normën për të dobësuar lekun dhe nxitur ekonominë

Rënia e shpejtë e inflacionit, por edhe forcimi i lekut ndaj euros e ka nxitur Bankën e Shqipërisë të reagojë duke lehtësuar politikën monetare. Këshilli Mbikqyrës i Bankës Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në 2.75 për qind, ndërkohë që interesi bazë i depozitës dhe kredisë njëditore u ulën respektivisht në 1.75 dhe 3.75 për qind.

“Rritja ekonomike ka qenë në kahun e sipërm dhe niveli i inflacionit në kahun e poshtëm të tyre. Në vija të përgjithshme, ne presim vijimin e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm,” e argumentoi vendimin për të ulur koston e parasë, Guvernatori Gent Sejko.

Por veç rënies më të shpejtë të inflacionit, kjo lëvizje e Bankës së Shqipërisë është dhe një reagim i nxitur nga kursi i politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane. Dy muajt e fundit Banka Qendrore Europiane e ka ulur dy herë normën bazë të euros me 25 pikë secila duke e zbritur atë nga 3.75 për qind që ishte në shtator, në 3.25 për qind aktualisht.

Këto lëvizje të BQE kishin ngushtuar diferencialin e interesit bazë mes euros dhe lekut nga 75 pikë në 25 pikë. Ngushtimi i hendekut mes normave bazë të euros dhe lekut bën presion për zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës europiane ndaj lekut, një situatë që Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë kërkon ta shmangë.

“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare,” tha Sejko.

Për më tepër, konjuktura aktuale e ekonomisë shqiptare mundëson përdorimin e politikës monetare për të nxitur më tej rritjen ekonomike. Inflacioni i ulët dhe leku i fortë i mundësojnë Bankës së Shqipërisë që të ulë normën bazë për të nxitur ekonominë pa patur frikën e efekteve negative anësore si në frontin e çmimeve ashtu dhe atë të kursit të këmbimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *