15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bankat nuk ndalen, fitimet rriten me 65 për qind në janar

Pas fitimeve rekord të 2023-shit, bankat duket se i janë drejtuar një tjetër viti të artë. Të dhënat zyrtare nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në janar fitimi i sektorit bankar u rrit me 65 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas statistikave, bankat shqiptare regjistruan mbi 3.7 miliardë lekë ose 35.6 milionë euro fitim në muajin e parë të vitit, nga 2.2 miliardë që ishte shifra në janarin e vitit të kaluar.

Dy vitet e fundit kanë rezultuar një nga periudhat më të arta për bankat në termat e përfitueshmërisë. Vitin e kaluar sektori bankar regjistroi nivelin rekord të 32.5 miliardë lekë ose rreth 315 milionë euro fitime nga 21.7 miliardë lekë që ishte shifra për vitin 2022. Me sa duket edhe viti 2024 do të shënojë një tjetër rekord në përfitueshmërinë e sektorit, teksa bankat po shfrytëzojnë rritjen e normave të interesit për të fituar më shumë para.

Në fakt kjo është një tendencë gati e përbotshme, ku bankat kanë përcjellë të plotë rritjen e normave të interesit tek kreditë që ato japin për qytetarët dhe bizneset, ndërkohë që kanë mbajtur në nivele të ulëta interesat që ato paguajnë për depozitat. Ky fenomen i ka detyruar disa qeveri, kryesisht në Europë që të vendosin taksa të posaccme për fitimet rekord të bankave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *