5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Banka Botërore “sqaron” qeverinë/ Emigrimi shkaktohet nga korrupsioni

Shpopullim masiv i Shqipërisë vitet e fundit ka hapur debatin se cilat janë shkaqet që shqiptarët largohen në turma nga vendi. Qeveria është munduar ta justifikojë këtë braktisje dramatike si një fenomen rajonal, që nuk ka lidhje me qeverisjen. Por Banka Botërore jep arsye të tjera.

Një raporti i fundit i BB, që ka analizuar flukset migratore në Europë ka dalë në përfundimin se një nga arsyet madhore që largon qytetarët nga vendet e tyre është korrupsioni. Raporti thotë përkeqësimi i korrupsionit në një vend me një njësi, rrit emigrimin me 9 deri në 29 për qind.

“Më shumë korrupsion shoqërohet gjithashtu me norma më të larta emigracioni. Ky efekt është veccanërisht i fortë tek emigrantët e kualifikuar me aftësi të larta,” thuhet në raport.

Sipas BB, kanalet se si korrupsioni i detyron njerëzit të braktisin vendin e tyre, janë disa.  “Për shembull, nivelet më të larta të korrupsionit kanë një ndikim negativ në cilësinë e institucioneve lokale. Kjo ccon në nivele më të ulëta besimi tek institucionet, pasiguri ekonomike për qytetarët, më pak mundësi pune dhe cilësi më të ulët të jetës,” vërejnë ekspertët e Bankës Botërore.   

Por pse korrupsioni ka efekt më të fortë tek njerëzit e shkolluar? Përgjigja sipas BB është e qartë.

“Korrupsioni ka një ndikim më të fortë tek emigrantët me aftësi të larta sepse gërryen strukturën meritokratike në shoqëri dhe zvogëlon në mënyrë drastike kthimin e investimit që njerëzit bëjnë në arsim,” citon raporti.

Shqipëria qëndron në majën e botës për nivelin e emigracionit. Aktualisht vlerësohet se 40 për qind e shqiptarëve jetojnë në mërgim, ndërkohë që vetëm në dekadën e fundit janë larguar jashtë më shumë se 750 mijë shqiptarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *