14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BB: Çmimet e naftës dhe ushqimeve kërcënojnë ekonominë shqiptare

Banka Botërore parlajmëroi se çmimet e larta të ushqimeve dhe karburanteve kërcënojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në raportin e fundit për prespektivën rajonale Banka vërën se rritja e mëtejshme e çmimeve në artikujt ushqimorë dhe grupin e energjisë do të shndërrohej në një rrezik kryesor për rritjen ekonomike.

“Rritje të mëtejshme e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë janë një rrezik kryesor për rritjen, pasi ato mund të ndikojë në të ardhurat reale të disponueshme, ngadalësojnë uljen e varfërisë si dhe të kufizojnë hapësirën fiskale” thuhet në raport.

Instituti i Statistikave konfirmoi zyrtarisht se familjet shqiptare po konsumojnë gjithmonë e më pak në terma realë, teksa rritja nominale e shpenzimeve për konsum nuk ka mundur të mbajë dot ritmin e rritjes së çmimeve. Sipas INSTAT, që nga pandemia rritja e çmimeve ka qenë në mënyrë të qëndrueshme më e lartë se sa rritja e shpenzimeve familjare për konsum duke arritur kulmin vitin që lamë pas.

Të dhënat nga Anketa e Njësive Familjare tregojnë se vitin e kaluar, shpenzimet mujore për konsum të familjes mesatare shqiptare u rritën me 4.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, inflacioni rezultoi 6.7 për qind. Kjo do të thotë se në terma realë konsumi i familjeve shqiptare u ul me 2.2 për qind.

Risqe të tjera

Banka Botërore parlajmëron se veç inflacionit, ekonomia kërcënohet edhe nga faktorë të tjerë risqesh. Një pjesë e tyre burojnë nga ambienti i jashtëm.

“Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme që mund të vijnë nga recesioni në Evropë ose shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit përtej vitit aktual,” nënvizohet në raport.

Por risqet nga jashtë nuk janë të vetmet. Qeveria ka krijuar edhe faktorë të brendshëm rreziku për ekonominë. 

“Rreziqet e brendshme burojnë nga fatkeqësitë natyrore, partneritetet publiko-private dhe Ndërmarrjet Shtetërore, përveç rreziqeve fiskale që rrjedhin nga sektori energjetik i vendit me bazë hidroenergjetike që vijnë nga variacionet në hidrologji,” përfundon raporti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *