14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BB: Shqipëria po humbet 1% të popullsisë çdo vit

Banka Botërore raporton se Shqipëria po humbet çdo vit 1 për qind të popullsisë, teksa vendi zhytet gjithmonë e më thellë në krizën demografike. Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të BB, tregojnë se fenomeni alarmant i tkurrjes së popullsisë është thelluar me ritme të shpejta, veçanërisht në 5 vitet e fundit.

Sipas BB, në vitin 2017 popullsia e Shqipërisë u ul me vetëm 0.1 për qind. Në 2018-ën, rënia u thellua në 0.2 për qind, ndërsa në vitet më pas ajo është bërë edhe më e shpejtë duke rezultuar 0.9 për qind gjatë vitit 2021.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2021, popullsia e Shqipërisë ishte 2.79 milionë banorë. Krahasuar me vitin 2011, popullsia është ulur me 3.9 për qind. Por me ritmet aktuale, rreziku është që në këtë dekade Shqipëria të humbasë 10 për qind të popullsisë.

Popullsia ndjek qeveritë

Të dhënat historike tregojnë se në 20 vitet e fundit, popullsia e Shqipërisë ka shënuar gjithmonë rënie. Por ritmi i rënies së saj nuk ka qenë i njëjtë.

Në periudhën 2002-2008, ulja e popullsisë u përshpejtua, teksa Shqipëria u përballë me një valë të dytë emigracioni pas asaj të fillimviteve 90’. Por pas vitit 2008, tendenca nisi të përmbysej dhe rënia e popullsisë u zbut me ritme të shpejta duke arritur në vetëm 0.2 për qind në vitin 2012.

Përgjatë periudhës 2012-2017, që përkon me mandanin e parë të qeverisë socialiste, ritmet e rënies së popullsisë kanë qenë thuajse të stabilizuara rreth nivelit 0.2 për qind. Por pas vitit 2017, ka nisur sërish stuhia demografike dhe ritmi i tkurrjes së popullsisë është thelluar në mënyrë të pandalshme. Një cikël negativ, i cili nuk ka sinjale se do të lehtësohet, të paktën në afatshkurtër.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *