6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Fondi Besa ngre skemë fajdesh me paratë e BE-së

Prej disa muajsh fondi Besa ka nisur një fushatë publicitare në media për të marketuar një produkt kredie të quajtur “Mbështesim biznesin tuaj”, e cila targeton bizneset e vogla. Kredia, e cila u mundëson ndërmarrjeve mikro dhe të vogla të marrin hua nga 300 mijë deri në 3 milionë lekë ose 2 mijë deri në 25 mijë euro është pjesë e një skemë ndihme nga Bashkimi Europian.

“Kjo kredi është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të BE-së për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI), Banka Evropiane e Investimeve dhe Fondi Evropian i Investimeve,” thuhet në njoftimin zyrtar të Fondit Besa.

Për këtë qëllim, para disa muajsh Bashkimi Europian i akordoi përmes Fondit Europian të Investimeve një hua prej 10 milionë eurosh fondit Besa. Paratë tani kanë filluar të përdoren nga fondi Besa duke u disbursuar si kredi për bizneset e vogla në Shqipëri. Por kushtet e kredive janë të denja për fajde rrugësh.

Komisione dhe interesa fajdesh

Kredia “Mbështesim biznesin tuaj” u jepet bizneseve për një afat maksimal deri në 8 vjet. Normat e interesit fillojnë 18 për qind për kredinë në lekë dhe 17 për qind për kredinë në euro. Pra këto janë normat dysheme, ndërkohë që normat reale mund të jenë edhe më lartë se kaq.

“Besojmë se kjo nismë do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e sipërmarrjeve mikro dhe të vogla në Shqipëri, si dhe në krijimin e bizneseve dhe vendeve të reja të punës,” thuhet si për ironi në njoftimin zyrtar të nënshkrimit të marrëveshjes së huasë me BE-së dhe fondit Besa.

Por normat nominale të interesave nuk e tregojnë të gjithë koston e plotë të kredisë së financuar nga BE. Veç tyre, bizneseve u mbahet dhe një komision disbursimi deri në 5 për qind. Tani dy llogari të thjeshta.

Një biznes, i cili merr një kredi 25 mijë euro me afat 5 vjet, do të marrë në dorë 23 mijë e 750 euro sepse 1250 euro i mbahen si komision disbursimi. Për këtë kredi, ky biznes do të kthejë mbrapsht tek Fondi Besa minimalisht 37 mijë e 300 euro në krye të 5 vjetëve. Kjo është kostoja minimale sepse është llogaritur mbi normën dysheme, pasi normat mund të jenë edhe mbi 17 për qind.

Kjo është skema përmes të cilës Bashkimi Europian po mbështet biznesin e vogël dhe punësimin në Shqipëri. Një Sude në invers. Që të jep 23.7 mijë euro dhe të merr mbrapsht 38 mijë euro për 5 vjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *