Bashkimi Europian njoftoi se ka nisur përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, punën për përgatitjen e projektit për dy segmentet hekurudhore shqiptare, pjesë e Korridorit të Tetë. Vlera totale e investimit për ndërtimin e dy linjave kap shifrën 2 miliardë euro, nga të cilat 418 milionë do të investohen në linjën hekurudhore që kalon në territorin shqiptar.
Segmenti i parë i kësaj hekurudhe në Shqipëri ka një shtrirje prej 33.5 km nga Durrësi në Rrogozhinë dhe vlerësohet të ketë një kosto prej 62 milionë eurosh. Ndërsa segmenti i dytë shtrihet në 120.3 km nga Rrogozhina deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka një kosto prej 356 milionë eurosh.
Vetëm pak ditë më pare, Hekurudha Shqiptare hapi tenderin me fond limit 450 mijë euro, për projektimin e elektrifikimit e linjës nga Durrësi deri në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe afati i fundit i pranimit të ofertve është data 3 qershor 2024.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përmirësojnë linjat ekzistuese dhe po ndërtojnë hallkat që mungojnë përgjatë korridorit, me qëllim shkurtimin e distancave fizike dhe zhvendosjen e sa më shumë pasagjerëve dhe mallrave përmes mënyrave të qëndrueshme të transportit. Me mbështetjen e Komisionit Evropian, këto investime po shoqërohen me masa reformuese për përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit hekurudhor.
Shtrirja lindore e Korridorit VIII, që ndërlidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, është pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian dhe është projekti kryesor i Portës Globale të Bashkimit Evropian. Strategjia e Portës Globale lidh vendet dhe rajonet në mbarë botën duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjisë së gjelbër, telekomunikacionit modern, arsimit dhe kërkimit.
Korridori VIII është një nga korridoret pan-evropiane, i cili përfshin si infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, dhe është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe pasagjerëve midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.