14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Berat-Ballaban/ Punimet e rrugës që lidh 4 qytete, ecin me ritme të shpejta

Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Ballaban-Berat po ecin me ritme të shpejta. Në të gjithë gjatësinë e lotit numër 3 është hapur traseja dhe po vijon puna me ndërtimin e veprave të artit. Punohet gjithashtu edhe për mbrojtjen e skarpateve dhe mureve mbajtëse. Aksi rrugor Berat-Ballaban, me një gjatësi prej 58 kilometrash, lidh qarkun e Beratit me atë të Gjirokastrës. Përgjatë tij shtrihet një numër i madh fshatrash të cilat me ndërtimin e këtij aksi do të jenë më lehtë të aksesueshëm. Zona konsiderohet gjithashtu me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtorin e ARRSH, Evis Berberi dhe kryetarët e bashkive të Këlcyrës, Memaliajt, Përmetit dhe Tepelenës që preken nga ky projekt, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve. “Koha na ka favorizuar. Jemi duke punuar kryesisht me veprat e artit, të cilat janë të shumta, duke qenë se 5 kilometrat e parë shtrihen në një terren gjysmë fushor, gjysmë kodrinor, ndërsa 10 kilometrat e tjerë shtrihen në një terren malor. Po punojmë me mure mbajtëse, me kanalet kulluese dhe me skarpatet. Është hapur gati e gjithë traseja”, sqaroi Berberi.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka nisur të japë edhe efektet e para. Banorë të zonës kanë nisur të ngrenë strukturat e para të pritjes. Ministrja Kumbaro tha se modeli i agroturizmit është një mundësi reale për zonën pasi ofron të gjitha resurset e nevojshme. “Përveç banorëve të Përmet, Këlcyrës, Memaliajt, Tepelenës, të cilët janë përdorues të këtij aksi, numri i turistëve gjithmonë e më shumë po shtohet. Ajo që është më e rëndësishme është që banorët do të vazhdojnë të rrijnë sepse nëse ne ua çojmë turistët, konsumatorët. Falë kësaj infrastrukture do të ketë një zhvillim ekonomik edhe ka mjaft banorë, djem të rinj të kësaj zone, që jetojnë në Tiranë dhe në frymën e agroturizmit që ne kemi nxitur, duan të kthehen të investojnë nëpër fshatrat e tyre, në shtëpitë e prindërve”, u shpreh Kumbaro.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku tha se ndërtimi i këtij aksi, jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen dhe aksesin në të gjithë zonën përgjatë të cilit ai shtrihet, por do të ndikojë edhe në rritjen e ekonomisë lokale duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, si dy sektorë të rëndësishëm. “Kjo do jetë një rrugë shumë e rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe atë turistik. Është një krahinë e jashtëzakonshme përsa i përket bukurive natyrore dhe duhet pasur parasysh që rruga Berat-Ballaban kalon përmes Beratit, Skraparit, Përmetit dhe Tepelenës, kështu që prekim dhe rajone të rëndësishme si të zhvillimit bujqësor ashtu dhe të zhvillimit turistik”, tha Balluku.

Investimet në infrastrukturë dhe energji, theksoi Balluku, kanë një rol kyç në zhvillimin e të gjithë sektorëve që kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit, ndaj do të vijojë të investohet në zonat ku edhe potencialet janë të shumta. “Infrastruktura dhe energjia janë dy kolona mbështetëse, të cilët çojnë ekonominë përpara. Ekonomia është dinamike, ndryshon, pra prioritetet ndryshojnë. Dikur ne kemi pasur prioritet bujqësinë. Nuk e lëmë pas dore, vazhdojmë me paketat subvencionuese, vazhdojmë me politikat mbështetëse që kemi për bujqit dhe blektorët, por nga ana tjetër turizmi vetë për shkak të të ardhurave që ka krijuar gjatë vitit 2023 është ai që ka marrë fokusin kryesor. Detyrë e infrastrukturës dhe energjisë është që të krijojë të gjitha kushtet logjistike për zhvillimin e këtyre sektorëve”, nënvizoi Balluku.

Aksi i ri rrugor Berat- Ballaban është i ndarë në tre lote. Aktualisht po punohet në lotin numër 3, i cili ka një gjatësi prej afro 16 kilometrash.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *