22 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Berberi në burg/ Balluku bën gati 200 milionë euro tendera për rrugët

Nga Boldnews.al

Disa ditë pas arrestimit të drejtorit të Autoritetit të Rrugor, Evis Berberi, eprorja e tij Belinda Balluku ka urdhëruar që të “ndahet” torta e rrugëve. Plot 12 tender janë planifikuar për t’u zhvilluar në muajt në vijim, çka ka rritur dyshimet se arrestimi i fundit mund të jetë i orkestruar nga grupe të mëdha interesi apo edhe nga vetë kupola qeverisëse. Një skenar i mirëfilltë duket se ka ndodhur në ARRSH, pasi ndarja e këtyre parave do të bëhet nga një drejtor tjetër, normalisht me bekimin e Ramës dhe Ballukut.

Operacioni i SPAK-ut duket se ngjan më shumë me një “gjueti shtrigave” brenda mazhorancës, ku një bie e të tjerët ngrihen. Madje edhe brenda vetë vartësve të Ballukut, që nga OSSH, KESH apo ARRSH. Në këto institucione me lekë të madh, ku drejtorët duket se pas këtyre operacioneve janë vënë “në rresht” nga qeveria.

BoldNews.al ka siguruar listën e tenderëve të planifikuar nga ky Autoritet, vlera e të cilëve kap shifrën rekord prej 200 milionë euro. Më saktësisht, janë hapur 12 tender për ndërtime, projektime dhe mbikëqyrje punimesh me një vlerë totale prej 20.335.577.501 lekë të reja, ose mbi 200 milionë euro.

Zgjerimi superstradës “Tiranë – Durrës”

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin me objekt “zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës”. Bëhet fjalë për fazën e parë, teksa fondi i parashikuar për këtë procedurë është plot 1.666.666.667 lekë. Bëhet fjalë për punime ndërtimi për autostrada dhe rrugësh. Ndërkohë, në të njëjtën kohë është hapur edhe procedura “zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës” faza e dytë. Fondi është i njëjtë; 1,666,666,667 lekë. Pra, procedura “copy pastë” me të njëjtën vlerë punimesh.

Rikonstruksioni i rrugës “Ndroq – Plepa”

Në të njëjtën kohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar pa një drejtor të mirëfilltë, por me një ministre që po tregon se s’ka frikë nga asnjë institucion ligj zbatues, ka hapur tenderin me objekt “rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa”. Bëhet fjalë për lotin e parë, ku vlera e tenderit është plot 1.046.280.000 lekë. Një segment i mbetur rrugëve, pasi ka kohë që nuk është investuar. Dhe investimi po kryhet në kohën kur ARRSH-ja s’ka as drejtor!

Zgjerimi i rrugës “Elbasan – Qafë Thanë”

ARRSH-ja ka hapur procedurat e katër lotëve të zgjerimit të rrugës “Elbasan -Qafë Thanë”, vlera e të cilave është plot 100 milionë euro. Ndërkohë, po 100 milionë ishin shpenzuar për 4 lotet e para. Në total, deri më tani, kjo rrugë ka shkuar në plot 200 milionë euro.

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, faza e pestë e kësaj rruge do të kushtojë 2.5 miliardë lekë. Po kaq edhe faza 6, 7 dhe 8. Janë të njëjta vlera, por ndryshojnë vetëm lotët.

Ndërtim segmenti “Berat – Ballaban”

Ndërkohë, ndarja e “tortës” ka vijuar edhe me dy tender për segmentin “Berat – Ballaban”. ARRSH-ja ka hapur procedurën “ndërtim rruga Berat – Ballaban”, loti 1. Ky lot ka një vlerë prej 1.906.685.833 lekë. Në të njëjtën kohë, është hapur edhe procedura “ndërtim rruga Berat – Ballaban”, loti 2. Fondi i tenderit të dytë është 2.257.611.667 lekë.

Zgjerimi rrugës së Ksamilit

Lista e tenderëve vijon me procedurën e hapur për zgjerimin e rrugës së Ksamilit. Tenderi ka një vlerë prej 1.666.666.667 lekë. Duke nisur nga shifrat vërehet se janë me të njëjta qindarka si disa procedura të tjera.
Krahas ndërtimit, ARRSH-ja ka hapur tenderin edhe për “supervizion punimesh zgjerimi i rrugës së Ksamilit”.

Për supervizimin, që në të gjitha procedurat është vetëm formal, është akorduar një fond prej 41.666.667 lekë.
Tenderi i fundit, në këtë listë por jo për ARRSH-në, është “studim projektim rruga e Bregut”. Fondi limit i kësaj procedure është 83.333.333 lekë dhe bën fjalë për shërbime të konsulencës në projektim.

Pra, 12 tender me vlerë 200 milionë euro. Kjo shifër është vetëm për ndërtim dhe supervizim. Pritet që kësaj shume t’i shtohet edhe 20 % i famshëm për shtesa kontratash, duke e çuar shifrën në plot 240 milionë euro. Vërtetë kaq e pasur është Shqipëria?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *