Kryedemokrati Sali Berisha kundërshtoi projekt buxhetin e qeverisë për vitin 2024, ku sipas tij ky buxhet duhej të kishte në epiqendër qytetarin, shërbimet, shëndetësinë, arsimin, por ndërkohë paratë shkojnë për rrugët që kanë 13 vite që ndërtohen dhe nuk ndërtohen.
Berisha akuzoi kompanitë e lidhura me Olsi dhe Edi Ramën, të cilat duke qënë financuese kryesore të vëllait të kryeministrit, nuk i përfundojnë së ndërtuari rrugët.
Berisha: 40 milionë merr një rrugë, një rrugë që ka 13 vite që ndërtohet dhe nuk ndërtohet.
Nuk ndërtohet sepse kompania është e lidhur me Olsi dhe Edi Ramën. Kompania duke qenë financues kryesor i Olsi Ramës, natyrisht ai nuk e përfundon rrugën.
Ndodh ç’ndodh, por Rruga e Arbrit me një gjerësi 10 metra po barazon një më një pothuajse në kosto Rrugën e Kombit me 27 metra gjerësi.
Rrugë që nuk mbarohen, rrugë që vidhen e vetëm vidhen. Nuk ka komb që ndërton rrugë me çmime më të shtrenjta se ne. Ky është buxheti i vjedhjeve.
Në SHBA një autostradë me të gjitha veprat e artit shkon 8 gjer në 11 mln dollarë. Në Shqipëri një rrugë 10 metrash me asfalt 5 centimetra që i del korja menjëherë shkon 11 mln euro. Ndaj dhe ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në histori.
Partia Demokratike është e vendosur. Ka nisur një betejë pa kthim. E ka nisur në parlament dhe do të bëjë gjithçka që kjo betejë të shtrihet kudo dhe të mos ndalet kurrë gjer në shpëtimin e Shqipërisë nga kthetrat e këtij narkoshteti.