29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BERZH: Ekonomia shqiptare po ngadalësohet

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim paralajmëron se ekonomia shqiptare po ngadalësohet ndjeshëm këtë vit, teksa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto pritet gati të përgjysmohet krahasuar me vitin e kaluar. Në vlerësimin e fundit ekonomik për vendet e rajonit, BERZH parashikon se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2023 do të ulet në 2.5 për qind nga 4.8 për qind që ishte një vit më parë.

“Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet për shkak të të ardhurave të disponueshme më të ulëta, politikës më të shtrënguar monetare dhe ngadalësimit të rritjes në Itali, që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë” vlerëson BERZH.

Sipas Bankës, ngadalësimi i ekonomisë shqiptare mund të kishte qenë edhe më i madh, por varka e shpëtimit të saj mbetet sektori i turizmit.

“Performanca e fortë e sektorit të turizmit zbut rreziqet për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Rritja pritet të forcohet në 3.3 për qind në vitin 2024, afër potencialit të saj afatmesëm,” thuhet në raport.

Sinjalet e para të ngadalësimit ekonomika kanë nisur të shfaqen ndërkohë. Të ardhurat buxhetore në prill u rritën më pak se sa shkalla zyrtare e inflacionit, ndërsa shkëmbimet tregtare të vendit me botën e jashtme po ulen ndjeshëm, në të dy krahët. Sipas INSTAT, eksportet shqiptare në mars u ulën me 11.7 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet ranë me 3.7 për qind.

Rritja e çmimeve ka filluar të gërryejë fuqinë blerëse të familjeve, duke ndrydhur konsumin e popullatës. Nga ana tjetër edhe investimet private janë në tërheqje teksa bizneset përballen me interesa më të larta të kredive për të financuar projektet e reja të zgjerimit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *