19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Biznesi i artë/ Fatura e avokatëve të Shqipërisë në arbitrazh arrin 30 milionë euro

Gjyqet në seri të arbitrazheve kundër qeverisë shqiptare përveç faturës financiare kur rezultojnë me humbje kanë dhe një kosto tjetër të madhe. Është ajo e faturave që buxheti paguan për studiot ligjore që mbrojnë Shqipërinë në gjykatat e arbitrazhit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund qershorit të këtij viti, fatura totale e studiove avokatore që kanë përfaqësuar Shqipërinë në gjyqet e arbitrazhit kapërceu 28 milionë euro. Sipas tabelës së detajuar, gjyqet me kostot më të mëdha administrative dhe ligjore për taksapaguesit shqiptare kanë qenë ai me Bankers Petroleum dhe çështja e famshme Becchetti.

Të dhënat tregojnë se avokatët që kanë mbrojtur Shqipërinë në gjyqin me Bankers i kanë faturuar qeverisë shqiptare 6.32 milionë euro, nga të cilat buxheti ka paguar deri tani 5.1 milionë euro, ndërkohë që kanë mbetur dhe 1.2 milionë euro për t’u shlyer.

Për çështjen Becchetti, studiot ligjore ka faturuar deri më tani 5.12 milionë euro. Qeveria ka shlyer 2.75 milionë euro, ndërkohë që kanë mbetur për t’u paguar edhe 2.31 milionë euro.

Të tjera çështje me kosto të kripur ligjore për qytetarët janë Kurum, Arka Energy, Construzioni Dondi, ku avokatët përfaqësues i kanë faturuar buxhetit mbi 2 milionë euro secila.

Përplasje, akuza dhe korrupsion

Në 23 janar 2015, Avokatura e Shtetit nis procedurat për të kontraktuar studion ligjore që do të mbronte Shqipërinë në abritrazh për dy paditë e ngritura nga Beçheti. Tre javë më vonë, në 13 shkurt, Avokatura e Shtetit, që në atë kohë drejtohej nga Alma Hicka, shpalli fituese studion angleze Wragge Lawrence Graham and co me çmimin rekord 2.2 milionë euro.

Por tenderi do të ngrinte menjëherë dyshime edhe vetë brenda qeverisë. Pas shpalljes së fituesit, ish ministri i Drejtësisë Nasip Naço, përmes një shkrese i kërkon Avokaturës së Shtetit se pse kishte ndjekur dy standarde të ndryshme në përzgjedhjen e fituesve për dy paditë e ngritura nga Becchetti duke hedhur hije dyshime se studioja britanike nuk kishte reputacionin dhe kapacitetin e duhur për të përfaqësuar një çështje kaq të rëndësishme.

Më parë në tryezën e Nasip Naços kishte mbërritur një ankesë nga një prej konkurrentëve në tender, studioja e mirënjohur Derains&Garavi. Edhe pse më parë, kjo studio kishte përfaqësuar Shqipërinë në disa procese gjyqësore arbitrazhi, të gjitha të fituara, Avokatura e Shtetit e skualifikoi duke e vlerësuar me zero pikë.

Për këtë në ankesën drejtuar ministrit Nasip Naço, avokati Hamit Gharavi, hidhte hije të rënda dyshimi mbi tenderin që përzgjodhi studion britanike duke akuzuar Avokaturën e Shtetit për konflikt të drejtpërdrejtë interesi.

Por saga sapo kishte filluar. Një vit pas përzgjedhjes së studios britanike, Ministria e Energjisë inicioi një projektvendim për t’i dhënë 2 milionë euro të tjera shtesë studios britanike, Wragge Lawrence Graham and Co, veç çmimit rekord prej 2.2 milionë euro të paguar në në momentit e përzgjedhjes.

Vërshimi i parave lumë drejt studios britanike, krijoi dyshime edhe vetë brenda qeverisë. Në ministrinë e Drejtësisë ishte larguar Nasip Naço, por kishte ardhur Ylli Manjani. Përmes një shkresë zyrtare, Manjani i kërkonte sqarime Ministrisë së Energjisë, për koston shtesë prej 2 milionë eurosh që po paguhej për studion britanike. Në përgjigje, Damian Gjinkuri e justifikonte pagesën shtesë si kosto për ekspertët e pajtuar nga studioja avokatore.

Për 1 vit e gjysmë tentative e qeverisë për t’i dhënë para shtesë studios britanike u bllokua nga Ylli Manjani. Por pas largimit të Manjanit nga Ministria e drejtësisë konflikti u zgjidh dhe rruga për pagesat u zhbllokua.

Përmes dy vendimeve të shpejta në qershor dhe korrik 2018, qeveria miratoi dhënien e 2 milionë eurove shtesë për avokatët britanikë. Pra në total, 4.2 milionë euro duke e bërë këtë kontratën më të shtrenjtë juridike në historinë e Shqipërisë.

Akuzat e Gharavit do të përforcoheshin ne fakti se studio angleze pajtoi si nënkontraktor firmën shqiptare Haxhia dhe Hajdari, në të cilën kishte qenë si partner themelues bashkëshorti i avokates së atëhershme të shtetit.

Biznes i artë

Ai i Beçhettit ishte vetëm një nga rastet e dyshimta për korrupsion dhe konflikt interesi në biznesin e artë e studiove ligjore të arbitrazhit. Gjatë këtyre viteve një sërë studiosh të njohura janë ankuar se procesi i përzgjedhjes së studiove ligjore është i kompromentuar dhe kontrollohet nga paradhoma e Kryeministrisë.

Kjo sipas tyre, jo vetëm ka rritur kostot që paguajnë taksapaguesit shqiptar, por ka dëmtuar interesat e vendit, për shkak të humbjes së shumë çështjeve si rasti i Beçhetit.

Formalisht pagesat e buxhetit për përfaqësimin e Shqipërisë në gjyqet e arbitrazhit bëhen për studio të huaja ligjore. Por një pjesë e parave rikthehen në Shqipëri përmes kontraktimit të studiove vendase, ku kanë interesa ose lidhje të drejtëpërdrejta financiare, zyrtarët që kontrollojnë tregun gjithmonë në rritje të përfaqësimit ligjor.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *