25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Biznesi i ri i shqiptarëve, lulëzojnë qiratë afatshkurtra

Rritja e turizmit po sjell lulëzimin e një biznesi të ri në Shqipëri. Ky është biznesi i qirave afashkurtra. Të dhënat zyrtare nga platforma botërore AirBnB tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti numri i apartamenteve apo vilave që shqiptarët listuan në AirBnB arriti në 19690 njësi.

Krahasuar me një vit më parë, numri i banesave të listuara në AirBnB është rritur me 27.3 për qind ose me më shumë se 4500 njësi. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve me parë, ai është rritur me mbi 2.3 herë.  Me pak fjalë, tregu i qirave afatshkurtra është biznesi i ri që po lulëzon në Shqipëri.

Qytetet që po fitojnë më shumë

Të dhënat e detajuara, tregojnë se në krye të listës për listimet e banesave në AirBnB qëndron Vlora. Në tremujorin e dytë të këtij viti, qyteti i flamurit kishte plot 7786 banesa të listuara për qira afatshkurtër në AirBnN.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, numri i banesave që vlonjatët kanë listuar për të dhënë me qira tek turistët është rritur me mbi 1700 njësi ose 28.5 për qind.

Pas Vlorës, në vendin e dytë me listimet më të mëdha renditet Tirana. Në fund të qershorit, kryeqyteti kishte 3523 banesa të listuara në AirBnB për qira afatshkurtër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i banesave të listuara në Tiranë është rritur me 21 për qind.

Qyteti i tretë renditet Saranda. Qytetarët e skajit jugor të Shqipërisë kanë listuar 2981 banesa në tremujorin e dytë të këtij viti për qira afatshkurtër. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar shifra është rritur me 21.5 për qind, teksa gjithmonë e më shumë qytetarë po i nxjerrin pronat e tyre në treg për të fituar të ardhura.

Të ardhura

Të dhënat zyrtare nga AirBnB tregojnë se vitin e kaluar shqiptarët arkëtuan në total 20 milionë dollarë nga dhënia e banesave të tyre me qira përmes platformës AirBnB.

Këtë vit shifra pritet të rritet edhe më shumë, ashtu sikurse sinjalizohet nga rritja e banesave të listuara. Megjithatë, Shqipëria po fiton pak krahasuar me potencialin e saj turistik. Ndërsa fluksi i turistëve vijon të rritet, oferta e banesave e ndjek nga pas, por me një ritëm më të ulët. Megjithatë, tashmë trendi është i qëndrueshëm. Qiratë afashkurtra janë biznesi i ri i shqiptarëve.     

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *