21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

‘Bomba’ e raportit të firmës ligjore amerikane: Ahmetaj nuk mund të çonte kurrë përpara kontratat e inceneratorëve

Firma e njohur ligjore amerikane, Nixon Peabody, një kompani e famshme me bazë në Boston, ka kryer një investigim të hollësishëm për hetimet që po kryen SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Raporti arrin në konkluzionin se Arben Ahmetaj është shënjestruar politikisht, për shkak se nuk është më aleat i Edi Ramës, por cilësohet sërish një ‘peshk i madh’. Por raporti thekson se Ahmetaj nuk kishte kurrë mundësi që të çonte përpara kontratat e inceneratorëve.

“Ndërsa shqyrtimi ynë ishte i kufizuar në ato dokumente dhe materiale në të cilat kishim akses, përkatësisht te raporti i SPAK dhe dokumente të tjera të disponueshme publikisht, ky shqyrtim ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirës për të identifikuar shqetësimet kryesore të identifikuara më sipër.

Bazuar në analizën tonë, në lidhje me përvojën tonë të mëparshme në hetimin, ndjekjen penale dhe mbrojtjen e rasteve të korrupsionit publik, ne konstatojmë se rasti i SPAK, siç parashtrohet në raportin e SPAK, është i pambështetur nga provat. SPAK ka dështuar plotësisht të përcaktojë asnjë nga elementët kryesorë të një vepre penale të korrupsionit publik, përkatësisht një veprim apo mosveprim zyrtar dhe një përfitim të dhënë në këmbim.

Më tej, SPAK dështon në mënyrë totale të kuptojë se zoti Ahmetaj nuk ishte kurrë në gjendje të çonte përpara materialisht kontratat për inceneratorët, dhe në fakt e refuzoi disa herë propozimin për kontratën e djegësit të Tiranës.

SPAK gjithashtu tenton të krijojë një lidhje mes zotit Ahmetaj dhe keqbërësve të tjerë të dyshuar në këtë çështje- ndaj të cilëve janë paraqitur prova domethënëse të llojit që mungojnë në rastin e zotit Ahmetaj- përmes një labirinti të ngatërruar personazh dhe subjektesh pa lidhje.

Në rastin më të mirë, raporti i SPAK është rezultat i një hetimi të dobët dhe të keqtrajtuar, që tregon qartë rreziqet e teorive argëtuese të konspiracionit në ndjekjet penale.

Në rastin më të keq, raporti i SPAK pasqyron një persekutim të motivuar politikisht të një individi të njohur, gabimi i vetëm i të cilit ishte përplasja me elitën në pushtet.

Megjithëse përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe mashtrimin duhen duartrokitur, sulmet e pabaza ndaj individëve të pafajshëm, sepse ata janë kundërshtarë politikë, janë haptazi të padrejta.

Prandaj ne besojmë se SPAK duhet të revokojë raportin dhe të pushojë menjëherë hetimin ndaj zotit Ahmetaj,” përfundojnë konkluzionet e raportit.

Syri.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *