6 Dhjetor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BSH: 80% e familjeve i kanë të ardhurat më pak se 100 mijë lekë në muaj

Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare jetojnë me të ardhura minimale duke qenë në kufijtë e varfërisë. Këto janë përfundimit e një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë mbi gjendjen financiare të familjeve shqiptare.

Sipas vrojtimit, rezulton se 79 për qind e familjeve shqiptare kanë të ardhura mujore më pak se 100 mijë lekë dhe vetëm 21 për qind e tyre kanë të ardhura mujore mbi këtë nivel

Por konstatimi më shqetësues është ai se gati gjysma e familjeve shqiptare jeton me më pak se 50 mijë lekë në muaj.

“Rreth 45% e familjeve deklarojnë të ardhura mujore në nivelin “17-50 mijë lekë”, por kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar,” vëren BSH.

Sipas BSH, rreth 34 për qind e familjeve në Shqipëri i kanë të ardhurat në fashën nga 50 deri në 100 mijë lekë në muaj, ndërsa 12 për qind e tyre kanë të ardhura në fashën nga 100 deri në 200 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë se vetëm 9 për qind e familjeve shqiptare fiton më shumë se 200 mijë lekë në muaj.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë është kryer mbi kampionin rastësor prej 1203 familjesh të shpërndara në të gjithë vendin, ku rreth 88% e tyre ose 1055 familje kanë marrë pjesë në procesin e intervistimit duke iu përgjigjur pyetësorit.

Ai konfirmon se pjesa më e madhe e familjeve në Shqipëri jetojnë me një nivel minimal të ardhurash mujore, të cilat shkojnë vetëm për konsum mbijetese duke mos u lënë mundësi atyre të kryejnë asnjë investim. Ky përfundim përforcohet edhe nga një fakt tjetër, që lidhet me pasurinë financiare të familjeve shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se 55 për qind e familjeve në Shqipëri nuk kanë asnjë pasuri financiare në formën e depozitave, llogarive bankare apo investimeve në asete të tjera, pasi nuk u del të kursejnë lekë mënjanë.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *