17 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

BSH nuhat nxehjen e ndërtimit/ Sejko u kufizon bankave kredinë për banesa

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë me disa masa rregullatore për të frenuar kredidhënien për blerje banesash. E trembur nga rritja e ndjeshme e kredisë për banesa dhe rendja e qytetarëve drejt investimeve në pasuri të patundshme, BSH po kërkon tashmë të përmbaje euforinë për të ulur riskun e një krize të mundshme.

Në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli Mbikqyrës i BSH vendosi të ulë tavanin për raportin këst kredie/ të ardhura për kreditë për blerje banesash. Kur bankat aprovojnë kredi për qytetarët, mes të tjerash ato shikojnë dhe një tregues, që sa i madh është kësti mujor për shlyerjen e kredisë në raport me të ardhurat mujore të kredimarrësit.

Për shembull nëse një qytetar ka të ardhura mujore 100 mijë lekë dhe shkon në bankë merr një kredi, kësti për shlyerjen e të cilës është 40 mijë lekë, atëherë raporti borxh/të ardhura është 40 për qind.

Aktualisht ky tavan në disa banka ka qenë deri në 50 për qind. Madje kur të ardhurat mujore të qytetarit ishin mbi 300 mijë lekë në muaj, atëherë bankat aprovonin kredi edhe për raport këst/ të ardhurash deri në 60 për qind.

Por me vendimin e djeshëm të BSH, ky raport kufizohet në 40 për qind për kredinë në lekë dhe 35 për qind për atë në valutë për blerjen e shtëpisë së parë. Ndërsa kur merret për shtëpi të dytë raporti kufizohet në 35 për qind në lek dhe 30 për qind në valutë.

Ndërkohë përveç kufizimit të raportit këst/të ardhura, BSH ka ndërhyrë përmes vendosjes së tavaneve edhe në masën e financimit. Sipas vendimit, bankat nuk mund të kreditojnë më shumë 85 për qind të vlerës së pronës për shtëpinë e parë dhe 80 për qind për shtëpinë e dytë.

Shkallëzimi i tavaneve nga shtëpia e parë në shtëpinë e dytë, synon të dekurajojë euforinë e investimeve në pasuri të patundshme si mjet për të fituar para. Ndërsa shkallëzimi nga leku në valutë, kërkon të adresojë atë që njihet si përplasja e monedhave, e cila i ekspozon qytetarët ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, nëse ata i kanë të ardhurat në lekë, por marrin borxh në valutë.

“Zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj. Këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia,” sqaroi në deklaratën e tij zyrtare Këshilli Mbikqyrës i BSH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *