21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bujqësia shqiptare ka disa tremujorë rresht me rënie, por Rrapaj i KASH thotë se viti 2023 ishte pozitiv

Bujqësia shqiptare vlerësohet të ketë patur ecuri pozitive gjatë këtij viti që po lemë pas. Në një intervistë për Radio Ejani, Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj bën një përmbledhje të të gjithë indikatorëve që formojnë këtë sektor. Ai përmend si arritje gjatë 2023-shit eksportin e vajit të ullirit shqiptar në vendet e BE-së.

“Bujqësia shqiptare gjatë vitit 2023 përgjithësisht ka performuar mirë. Në këtë performancë një vend të rëndësishëm zënë eksportet e perimeve, ku Shqipëria ka rrjet të vazhdueshëm të eksportit të perimeve të freskëta. Gjatë 2023 një prodhim të bollshëm ka patur bima e ullirit dhe prodhimi i vaji i ullirit. Viti 2023 shënohet si viti me ngjarjen me prodhimin më të madh të ullirit dhe të vajit të ullirit, duke arritur maksimumin e prodhimit të ullirit rreth 158 mijë ton. Po kështu për këtë vit në 2023 Shqipëria eksportoi për herë të parë vaj ulliri cilësor, në vendet e Bashkimit Evropian e një sasie të konsiderueshme mbi 8 mijë ton. Kjo është një bazë e mirë për të vazhduar edhe në vitet në vijim eksportin në këto tregjet me vlerë të lartë të importit të këtij produkti.”- u shpreh Rrapaj.

Nga bimët mjekësore, bujqësia organike dhe agroturizmi kanë shënuar progres gjatë 2023- shit. Ndryshimet klimatike ndërkohë mbeten kërcënim.

“Gjithashtu një rritje të konsiderueshme patën edhe eksporti i bimëve mjekësore, të cilat arritën që të performojnë më mirë nga viti 2023. Edhe blegtoria pati një frenim të rënies së numrit të krerëve dhe një konsolidim të prodhimit të qumështit në krahasim me vitin 2021. Patëm rezultate pozitive edhe për sa i përket rritjes së sipërfaqes së ujitshme në periudhën e thatësirës veçanërisht. Problemet që kemi patur kanë qenë problemet e përkeqësimit të kushteve klimatike, të cilat janë shoqëruar me dëme të konsiderueshme të prodhimeve bujqësore në disa zona produktive të vendit kryesisht nga breshëri dhe nga përmbytjet, por më së shumti nga breshëri dhe nga ngricat.”-tha Agim Rrapaj.

Me ritme të kënaqshme prej vitesh është sektori i agroturizmit në Shqipëri.

“ Njëkohësisht patëm një zhvillim të vazhdueshëm edhe të sektorëve të tjerë, veçanërisht agroturizmit, i cili pati një rritje të konsiderueshme edhe sa i përket numrit të vizitorëve, por edhe për sa i përket rritjes së numrit të subjekteve të ushqimit social në zonat rurale. Kjo ishte një arritje e madhe, në aktivitetin e vitit 2023. Patëm një zhvillim të konsiderueshëm edhe të bujqësisë organike, duke pasur parasysh që për herë të parë, u certifikuan me certifikata të ndryshme të cilësisë edhe 500 hektarë tokë të cilat nuk ishin certifikuar më parë, një nga certifikatat e cilësisë më të përhapura, ishte certifikimi global dhe certifikatat e tjera ISO që kanë performuar shumë mirë në drejtim të rritjes së cilësisë së prodhimit të vendit.”-theksoi kreu i KASH.

Sektori i peshkimit po ashtu luan një rol të rëndësishëm në Shqipëri, por në çdo hallkë të bujqësisë ndjehet mungesa e fuqisë punëtore.

“Performancë të mirë pati edhe peshkimi, kryesisht peshkimi në ujërat detare dhe peshkimi në ambientet e mbrojtura, në aquakulturë. Të gjitha së bashku kanë bërë që eksporti i peshkut gjatë 2023 të ketë një rritje të ndjeshme në krahasim me 2022. Sfidat e bujqësisë shqiptare në 2024 janë të lidhura ngushtë me punësimin, kemi një mungesë të fuqisë punëtore, në shumë sektorë të ekonomisë së ushqimit, duke përfshirë bujqësinë, peshkimin, agroturizmin, agrobiznesin dhe sektorët e tjerë. Problemi i punësimit ngelet një problem për t’u zgjidhur në vijimësi.”, tha ai.

Ndërkohë të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, bujqësia shënoi rënie me 0,04%. Ky ishte tremujori i gjashtë radhazi që sektori qëndron në vendnumëro. Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndryshimi i PBB-së në bujqësi ishte 0%, ndërsa në të gjithë vitin 2022, PBB në këtë sektor ndryshoi me vetëm 0.06%. Ndonëse çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur dhe kërkesa nga jashtë për prodhime shqiptare është e lartë, prodhimi nuk u është përgjigjur zhvillimeve të kohës. Duket se dobësitë më të mëdha po shfaqen në sektorin e blegtorisë, ku rënia e prodhimit dhe krerëve ka qenë e fortë.

“Sfida e dytë ka të bëjë me eksportin. Objektivat që Shqipëria ka vënë për eksportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale janë mjaft ambicioze dhe duhen marrë masa për ta sistemuar nga të gjitha pikëpamjet dhe mbështetur këtë si problem për ta zgjidhur. Sfida tjetër e rëndësishme është rimbursimi i fondeve që jepen nga donatorët dhe veçanërisht nga BE. Është një sfidë që duhet kapërcyer dhe performuar më mirë për sa i përket sasisë së fondeve që do të rimbursohen në Shqipëri. Një sfidë tjetër janë kushtet klimatike që duhen përballuar dhe duhen marrë masa që të mos kemi më dëme aq të mëdha që kemi patur në vitin 2023 dhe në vitet e mëparshme. Këto janë sfidat kryesore që kemi për 2024.”- thekson Rrapaj.

Emigrimi theksohet si plagë kryesore e pakësimit të fermerëve dhe punonjësve në fshat. Ndërkohë fermerët në zonat me bujqësi intensive kanë nisur të krijojnë ura komunikimi me tregjet, duke ndikuar në rritjen e prodhimit dhe cilësisë.

Radio Ejani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *