30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Centrali më i madh diellor në Ballkan pa subvencion po ndërtohet në Fier

Në mars të këtij viti, “Fondi i Gjelbër për Rritjen” akordoi një kredi 28 milionë euro për shoqërinë shqiptare SPV Blue. Fondi i Gjelbër për Rritjen është një partneritet publik privat i regjistruar në Luksemburg, që mobilizon kapitalet e donatorëve si KFw apo Banka Europiane e Investimeve për të financuar projekte private, që reduktojnë ndotjen.

Kredia prej 28 milionë euro do të përdoret për nga shoqëria shqiptare SPV Blue për të ndërtuar një park diellor në Topojë të Fierit. Centrali do të ketë një fuqi të instaluar prej 50 mega vat dhe është projekti diellor me i madh në Ballkanin Perëndimor, që ndërtohet me kapital privat dhe pa mbështetje nga shteti.

SPV Blue është një shoqëri që zotërohet nga dy kompani shqiptare; Matrix Konstruksion dhe Blessed Investment. Sipas të dhënave teknike të projektit, centrali diellor do të prodhojë 108 mijë mega vat energji elektrike në vit. E gjithë energjia do të shitet në treg të lirë, pa u mbështetur nga shtetit.

Në kushtet kur Shqipëria po liberalizon tregun e energjisë dhe bizneset janë duke dalë masivisht nga tregu i rregulluar i energjisë, ndërtimi i burimeve të reja prodhuese është kritik për të vënë në lëvizje gjithë mekanizmin e sistemit.

Ndërtimi i centralit në terren ka filluar ndërkohë. Në mbledhjen e fundit, Enti Rregullator i Energjisë miratoi kredinë dhe vendosjen e aseteve të kompanisë SPV Blue si kolateral për Fondin e Gjelbër.

Parku pritet të përfundojë dhe nis prodhimin e energjisë në muajt e parë të vitit që vjen. Paralelisht kompania po zhvillon projektin edhe për një park të dytë.

Centralet diellore janë fronti i ri i investimeve në gjenerimin e energjisë, pas hidrocentraleve. Në zonën e Karavastasë është duke u ndërtuar parku tjetër me fuqi të instaluar 140 mega vat nga kompania franceze Voltalia. Pritshmëritë janë që ky central të nisë prodhimin e energjisë brenda këtij viti.

Teksa privatët shtojnë prodhimin e energjisë, sfida e Shqipërisë tani mbetet përgatitja e rrjetit. Një raport i Euronews pak kohë më parë ngrinte shqetësimin se rrjetet e shpërndarjes në vendet e Ballkanit mund të mos jetë gati për të absorbuar këto sasi të reja energjie.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *