15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Çfarë përmban marrëveshja për pensionet me Italinë

Shtetasit shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës edhe në Shqipëri në momentin që dalin në pension.

Shqipëria dhe Italia kanë arritur dakordësimin e marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.

Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua disa muaj më parë. Bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e arritur kanë nisur vite më parë dhe janë intensifikuar që nga viti 2014.

Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 700 000 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, janë rreth 50 000 ndërmarrje me NIPT italian, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Marrëveshja e dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.

Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali.

Shqipëria ka nënshkruar rreth 15 marrëveshja për njohjen e sigurimeve, duke filluar me Turqinë, në vitin 2005,e duke vijuar me një numër shtetesh të tjera si me Kosovën, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Gjermaninë, etj.

Vitet e punës

Për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit tonë, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar.

Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni, llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe pavarësisht sektorëve ku kanë punuar./CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *