30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Çojeni markimin e Xenit në Administrative

Partia Demokratike, pjesa që drejtohet nga Lulzim Basha, dy ditë më parë kallëzoi në SPAK kullën që do të ngrihet tek ish gropa e Hajdin Sejdisë. Padia erdhi pas protestës që organizoi në vendin ku do të ngrihej kulla, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Të dy veprimet, si protesta e Lëvizjes Bashkë kundër betonizimit të mëtejshëm të Tiranës ashtu dhe padia e Lulzim Bashës për të hetuar nëse ka korrupsion në lejen e ndërtimit janë për t’u lavdëruar.

Por ka ardhur koha që kjo praktikë të zgjerohej edhe në afera të tjera të dyshuara për korrupsion. Njëra prej tyre është e freskët fare.

Një ditë më parë qeveria shqiptare zgjati me një vit pa garë koncesionin e markimit të karburanteve. Si pasojë e këtij vendimi, qytetarët shqiptarë do të paguajnë të paktën 4.5 milionë euro shtesë, nga të cilat minimalisht 1.5 milione euro do të shkojnë si fitim neto për kompaninë koncesionare.

Tani mbetet për t’u parë nëse forcat politike antiestablishment dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të padisin në Gjykatën Administrative zgjatjen pa garë të koncesionit të markimit, për t’i dhënë një tjetër goditje asaj që disa e quajnë “Politika e Vjetër” e të tjerë Trekëndëshi i Bermudës.

Goditja e koncesionit në Administrative do të lehtësonte qytetarët nga 4.5 milionë euro, do të na ndalonte blerjen e një pjesë të opozitës si dhe do të ndërpriste një burim të ardhurash për klasën e korruptuar të politikës. Markimi është i Xenit- na patën thënë dikur. Bujrum.

Pasi të mbaroni punë me markimin, vazhdoni me pullat fiskale. Mos na e lejoni qeverinë të blejë opozitarizmin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *