22 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Denaj: Fillojmë menjëherë punën për të shpërndarë paratë e fermerëve

Ministrja e Bujqësisë do të fillojë menjeherë nga puna për të shpërndarë fondin shtesë 17 milionë euro tek fermerët për blerje karburanti.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare informoi se ka filluar menjëherë puna për të vënë në zbatim vendimin e Qeverisë për mbështetjen e të gjithë aplikuesve në skemën kombëtare të naftës dhe të blegtorisë.

“Kjo mbështetje shpreh edhe një herë angazhimin e plotë të Qeverisë Rama për zhvillimin e bujqësisë”, u shpreh Denaj.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) janë në punë intensive së bashku me fermerët dhe pushtetin vendor për ta realizuar këtë proces brenda vitit.

Subvencionet për fermerët pësuan një goditje të fortë kur Bashkimi Europian pezulloi grantet që shpërndahen përmes programit IPARD për shkak të korrupsionit në AZHBR. Përmes programit IPARD fermerët shqiptarë kanë përfituar mbi 70 milionë euro grante, ndërkohë që në fazën e tretë pritej që të shpërndaheshin dyfishi i kësaj shume, rreth 150 milionë euro. Tashmë lëvrimi i kësaj shume është pezulluar totalisht deri në një vendimarrje të dytë nga strukturat e BE-së.

Pezullimi i fondeve të BE do ta detyrojë qeverinë shqiptare që të disbursojë më shumë nga buxheti i shtetit për të mbështetur fermerët shqiptarë të cilët konkurrojnë të dizavantazhuar në tregjet europiane, pasi fermerët e BE-së, por edhe ata të vendeve fqinje marrin disa herë më shumë subvencione nga qeveritë e tyre.

Skandali i abuzimeve me fondet në AZHBR detyroi Edi Ramën që të ndryshonte ministren e Bujqësisë Frida Krifca duke emëruar Anila Denajn, ndërkohë që ccështja është për hetim në SPAK.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *