13 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Denaj: Mbështesim 65 mijë fermerë me skemë të drejtpërdrejtë!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se qeveria do të subvencionojë direkt 65 mijë fermerë gjatë vitit të ardhshëm përmes skemave kombëtare të subvencionit.

“Vitet e fundit u tregua shumë qartë se mbështetja përmes skemave nacionale synonte mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve por njëkohësisht edhe formalizimin e tyre fondi i skemës ka pasur një hop cilësor në dy këto aspekte. Nga 8 mijë fermerët të mbështetur në 2010 sot në 2023 jemi me një mbështetje të 65 mijë fermerëve, kjo falë edhe mbështetjes më të fundit përmes aktit normativ të dhënë nga qeveria shqiptare”.

Sipas të dhënave të qeverisë, mbështetja për 65 mijë fermerët me fondet buxhetore përbën 68% të të gjithë fermerëve me NIPT në shkallë vendi.

“Në buxhetin e vitit 2024 janë adresuar 3.3 miliardë lekë për skemën e mbështetjes, por ne parashikojmë të rishikojmë disa elementë të efekshmërisë së skemës.

Por shefja e bujqësisë pranoi se masa e mbështetjes financiare që përfitojnë femerët është e ulët dhe nevojiten 3 herë më shumë fonde. “Buxhetet për bujqësinë janë të vogla, krahasuar me rajonin, ne jemi të fundit sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë,” shtoi ajo.

Megjithatë sipas Denajt qeveria po shqyrton mundësinë e rritjes së fondeve për subvencionin e fermerëve.
“Në gjashtëmujorin e parë të vitit tjetër, në hapësirën që na ka dhënë qeveria shqiptare për të sjellë një skemë të qëndrueshme, do të kemi mundësi të rrisim tavanet, por kjo do të jetë në një diskutim kur ne të propozojmë si në bllokun ekonomik ashtu edhe në qeverinë shqiptare skemën e cila do jetë e qëndrueshme 3 deri në 5 vjet me fondit i cili do jetë 3-fish më i lartë se buxheti aktual,” përfundoi Denaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *