Interesi në rritje për skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi ka bërë që buxheti i akorduar të mos jetë i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj thekson se për vitin 2024 janë akorduar 3.3 miliardë lekë për financimin në bujqësi, shumë e cila do të shkojë për 33 mijë përfitues, por nevoja është trefish më e lartë, pasi këtë vit janë mbështetur 55 mijë përfitues.
“Për vitin 2024 janë vendosur në dispozicion 3.3 miliardë leke. Nevoja për mbështetje buxhetore është më e larte, parashikojmë që nevoja do të jetë trefish më e lartë, por është shumë e rëndësishme ti adresojmë skemat drejt efektivitetit të plotë dhe bashkimit te operatoreve.”.
Deputetët e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kanë sugjeruar rishikimin e skemave të mbështetjes, duke i orientuar për njësi prodhimi.
Në total buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin e ardhshëm është në ulje dhe rrumbullakoset në afro 14.2 mld lekë.