14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Denaj: Shqipërisë i duhen 1.2 mld dollarë ushqime për sezonin turistik

Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj deklaroi se rritja e numrit të turistëve zgjeron tregun për fermerët dhe prodhuesit vendas të ushqimeve. Sipas saj gjatë sezonit të ardhshëm turistik, Shqipëria do të ketë nevojë për 1.2 miliardë dollarë ushqime për të përballuar rritjen e konsumit.

“Dua të kujtoj këtu që 980 milionë dollarë ofertë ushqimore si rezultat i 10.5 milionë turistëve, ndoshta 14 milionë turistë të këtij viti do ta çojnë në 1.2 miliardë dollarë presionin e ofertës ushqimore, të bëj që të mos lëmë pa vëmendje dhe kushtet dhe standardet e cilësisë për tregun e brendshëm.

Duke filluar nga mënyra se si akreditohen të gjithë institucionet përgjegjëse për analizat dhe këtu dua të sjell në vëmendje punën e padiskutueshme që bën ISUV. Përtej faktit dhe objektivit që 4300 analiza nuk mund të jenë të akredituara në Shqipëri brenda një harku kohor shumë të shkurtër, po 1300 janë.

Nga ana tjetër të krijojmë një mbështetje dhe një udhërrëfyes për të gjithë bizneset si të shkojnë drejt akreditimit të këtyre proceseve në mënyrë që të punojmë në dy drejtime, nga njëra anë pjesa e legjislativit me ligjet, pjesa e ekzekutivit me infrastrukturë dhe biznesi me qasjen ndaj investimeve të duhura dhe protokolleve të duhura dhe kështu të përfitojë në fund konsumator dhe produkti Made in Albania” deklaroi Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit ku u diskutua mbi ecurinë e plotësimit të reformave për anëtarësimin në BE, Ministrja Denaj tha gjithashtu se synim është gjithashtu rritja e eksporteve të produkteve shqiptare dhe depërtimi i tyre në tregje elitare. Vlera e eksporteve në fund të 2023 arriti në 570 milionë Euro me gati 64.5 milionë Euro rritjen nga një vit në tjetrin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *