27 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Denoncimi i Braçes: Ergi dhe BE-IS përlajnë 600 mijë euro për mirëmbajtjen e Fier Shegan-Divjakë, pa shkuar kurrë në rrugë

Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar përmes një postimi në Facebook se kompanitë që fituan tenderi 65.3 milionë lekë për mirëmbajtjen e rrugës Fier Shegan-Divjakë nuk e kanë mirëmbajtur asnjë ditë të vetme rrugën duke e lënë atë në gjendje të mjerueshme.

“Rruga nga Autostrada në Gabian, gjeta përsëri tabelën, por jo mirëmbajtjen. Kontrata e fundit ka nisur ne Gusht 2022 dhe ju garatoj se nga ai muaj, çdo javë që unë kam qënë këtu, ka patur zero mirëmbajtje nga ky grup kompanish nën kontratë,” denoncon Braçe duke e shoqëruar postimin e tij me pamjen e gjendjes së keqe të rrugës.

Tenderi për mirëmbajtjen me performancë të segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjakë + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strumë – Qafë Marinëz” u zhvillua në mars të vitit të kaluar. Në garë u paraqitën 5 oferta, por ARRSH shpalli fituese bashkimin e kompanive Ergi dhe BE-IS për vlerën 65.3 milionë lekë. Kontrata u lidh në gusht të vitit të kaluar me afat 24 muaj.

“Sinqerisht nuk e kuptoj! Kur shqyheni të fitoni kontrata, përse nuk i zbatoni?- vijon më tej Braçe në denoncimin e tij publik.

Rrjet kompanish me interesa të drejtëpërdrejta me zyrtarët
Dy kompanitë që kanë marrë paratë nga buxheti për të mirëmbajtur rrugën Fier Shegan-Divjakë janë Ergi dhe BE-IS. Vitet e fundit këto dy kompani janë fuqizuar shumë duke marrë miliona euro kontrata publike dhe në më shumë se një rast këtë e kanë bërë në partneritet me njëra-tjetrën. Kontrata e fundit ishte ajo e “sistemim asfaltimimit të rrugës Qafa e Buallit – Martanesh” me vlerë gati 9.5 milionë euro, edhe pse një kompani tjetër kishte ofruar gati 1.5 milionë euro më pak.

Kompania që ka marrë para të tjera nga buxheti për t’i mbikqyrur këto dy kompani se si e mirëmbajnë rrugën Fier Shegan- Divjakë është NET GROUP.

NET GROUP është një emër jo pak i njohur. Në të kaluarën kjo kompani ka qenë e lidhur drejtëpërdrejtë me drejtorin aktual të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

Zoti Berberi ka qenë pjesë edhe e Net-Group, madje dhe përfaqësues i autorizuar për të kryer veprime në emër të saj përpara se të ngjitej në hierarkinë e administratës. Kur zoti Berberi filloi të ngjitej në shkallët e qeverisë edhe kompania nisi të lulëzojë. Tani, nga njëra anë deputeti socialist Braçe denoncon se rruga nuk mirëmbahet, por nga ana tjetër supervizori nuk duket të ketë ngritur ndonjë alarm për këtë fakt edhe pse ky është një detyrim ligjor i tij.

Ky është një rrjet kompanish që fiton qindra milionë euro kontrata publike, por që sipas denoncimit të deputetit socialist në rastin e mirëmbajtjes së rrugës Fier Shegan- Divjakë vetëm kanë përlarë paratë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *