5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Detajet e Portit të Ri, tenderi me dy faza

Porti i ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano do të realizohet në faza, teksa faza e parë për të cilën është hapur gara tenderuese do të përfshijë zhvillimin e një terminali kontejnerësh me dy shtretër.

Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën tenderuese me fond limit 39.32 mld lekë, në Porto Romano ka tashmë dy terminale detare që trajtojnë sasi të mëdha të lëngshme dhe ngarkesa të përgjithshme. Prandaj, objektet portuale shtesë do të zhvillohen për të lejuar transferimin e shumicës së trafikut të mallrave nga Porti i Durrësit në Porto Romano.

Po ashtu, në dokumente bëhet me dije se Porti i Durrësit më pas do të mbyllet për të gjithë trafikun e mallrave, përveç trageteve Ro-Ro, trageteve Ro- Pax, anijeve turistike dhe anijeve argëtuese. Tragetet Ro-Ro dhe Ro- Pax pritet të transferohen në portin e ri në të ardhmen.

Ndërkaq, tenderi i shpallur për kontratën e parë të ndërtimit do të përbëhet nga 2 faza: Një fazë parakualifikimi në të cilën ofertuesit e mundshëm mund të parakualifikohen me kusht që të plotësojnë një sërë kriteresh të paracaktuara teknike dhe financiare dhe një fazë ofertimi në të cilën ofertuesit e parakualifikuar mund të dorëzojnë ofertën e tyre.

Sipas dokumenteve të tenderit, Porto Romano do të jetë një port i klasit botëror, ndërkombëtar, teknologjikisht i avancuar dhe efikas, i cili do të trajtojë ngarkesat e parashikuara në të ardhmen në det për Shqipërinë dhe rajonin.

Porti i ri tregtar në Porto Romano do të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit, dhe jo me financim të huaj sikurse parashikohej në ligjin fillestar të buxhetit 2024. Përmes Aktit Normativ të miratuar në muajin shkurt, për këtë vepër portuale u akorduan 9.88 mld lekë. Po ashtu, u parashikua mbështetje buxhetore me 14.7 mld lekë për vitet buxhetore 2025 dhe 2026

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *