14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dhoma Amerikane letër Ibrahimajt: Ligji për taksën e pasurisë 4-fishon barrën fiskale dhe ka probleme thelbësore

Dhoma Amerikanë e Tregtisë në një letër drejtuar ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ngre shqetësimin se ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” 4-fishojnë normën e taksës së pasurisë.

AmCham i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë metodologjinë e vlerësimit, duke filluar nga çmimet e referencave, të cilat duhet të reflektojnë vlerën reale të tregut, deri tek tagri i pakufizuar që i është dhënë pushtetit vendor.

Letra e plotë
Drejtuar: Znj. Delina Ibrahimaj Ministre Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Tiranë Objekti: Komentet e biznesit mbi Projektligjin “Për Taksën mbi pasurinë e paluajtshme”

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (në vijim referuar si “Dhoma”) në funksion të misionit të saj për të ndihmuar bizneset të punojnë në një klimë të qëndrueshme, e konsideron me rëndësi të madhe miratimin e projektligjit “Për Taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, projektligj i cili sjell një reformim rrënjësor të sistemit të taksimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Dhoma ka ndjekur me mjaft interes çdo diskutim për këtë projektligj duke qenë mjaft aktive në mbledhjen e komenteve dhe sugjerimeve nga anëtarët e saj për të kontribuar që ky ligj të jetë sa më i qartë, sa më i drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Me anë të kësaj shkrese Dhoma synon të përcjellë komentet e anëtarëve të saj në lidhje me këtë Projektligj, të cilat janë si më poshtë:

Konstatojmë se ky projektligj ka probleme thelbësore në konceptim dhe në shkrim. Problemet i vërejmë në formulimin e disa përkufizimeve të cilat janë të paqarta, evazive, pa referenca të sakta dhe në disa raste të pasakta por edhe në mbivendosjen apo përplasjen e dispozitave me ligje të tjera. Ky është një ligj kompleks i cili rikonceptualizon taksën mbi pasurinë e paluajtshme duke sjellë një reformë strukturore ashtu siç parashtrohet gjatë gjithë relacionit që shoqëron projektaktin.

Siç përmendet në relacion, projektakti i publikuar, ka rezultuar pas një projekti disavjeçar si dhe duke marrë në konsideratë rekomandime të disa organizatave/institucioneve ndërkombëtare. Në këtë kuadër, mendojmë që projektakti mund të jetë i kuptueshëm nga ekspertët e fushës, teknikë dhe juristë por ka vështirësi për t’u kuptuar nga publiku në tërësi.

Gjithashtu konstatojmë se për këtë projektligj procesi i konsultimit publik nuk është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi (afati, mënyrat e njoftimit si dhe takimet e zhvilluara me grupet e interesit). Duke qenë se ndryshimet thelbësore të ligjit do të fillojnë të aplikohen vetëm duke filluar nga 1 janar 2026 për ndërtesat dhe 1 janar 2028 për tokën/truallin, nuk e kuptojmë cili është qëllimi pas miratimit të këtij ligji që në vitin 2023 dhe më emergjence, pa u konsultuar për një periudhë të arsyeshme.

Për më tepër që procesi i konsultimit limitohet vetëm në publikimin e draftit në internet dhe pritjen e komenteve me shkrim nga përfaqësuesit e biznesit. Akte të rëndësishme si ky, por edhe vitin e kaluar ligji për tatimin mbi të ardhurat, nxirren për konsultim publik në periudhë pushimesh verore kur bizneset janë duke punuar me staf të reduktuar.

Sado të aftë dhe largpamës të jenë bizneset, mungesa e takimit fizik dhe dialogut verbal, si dhe koha e pushimeve kur akti del për konsultim, lë shteg për moskuptime dhe paqartësi, të cilat çojnë pastaj në ndërhyrjet ligjore të qeverisë në projektakt që para sesa akti vetë të zbatohet për herë të parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *