11 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Dividentë rekord për bizneset europiane, kryesojnë bankat

Bum fitimesh për aksionerët e 1200 firmave më të mëdha në botë për nga kapitalizimi i tregu. Në tremujorin e dytë të vitit 2023, dividentët e shpërndarë për aksionerët në rang global thyen një tjetër rekord duke arritur në 568 miliardë dollarë.

Listën e kryesojnë kompanitë europiane, të cilat po përjetojnë një periudhë të artë fitimesh. Sipas Janus Henderson Investors, korporatat më të mëdha të Europës shpërndanë 184.5 miliardë dollarë dividentë për aksionerët e tyre në tremujorin e dytë të vitit.

Gjermania, Franca, Spanja, Italia, Suedia dhe Zvicra të gjitha kanë shënuar rritje të fortë në pagesat e dividentëve, veçanërisht nga prodhuesit e automjeteve dhe bankat.

Më pas, renditen kompanitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për periudhën prill-qershor shpërndanë mbi 165 miliardë dollarë dividentë për pronarët e tyre, ndërsa në vendin e tretë rezultuar bizneset e ekonomive në zhvillim, që shpërndanë mbi 45 miliardë dollarë fitime për pronarët.

Sipas analizës, të ndara sipas kategorisë së bizneseve, rritja e dividentëve në shkallë globale po udhëhiqet nga bankat. Janus Henderson Investors thotë se më shumë se gjysma në rritjen e dividentëve këtë vit, ka ardhur nga bankat më të mëdha, veçanërisht ato europiane.

Sistemi bankar po kalon një periudhë të artë fitimesh gjatë dy viteve të fundit, teksa ka përcjellë më shpejtësi në treg rritjen e interesave tek kreditë, por ka mbajtur në nivele të ulëta, kostot që paguan për depozitat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *