30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dokumenti/ Dhoma Amerikane e Tregtisë refuzoi kompaninë e inceneratorit të Tiranës

Nga CNA

Afera e inceneratorëve nuk ka kaluar vetëm nëpërmjet debatit politik, publik dhe korruptimit të medias, por ka pasur edhe anën tjetër të saj. Refuzimin e subjektit “Integrated Energy BV SPV”, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

CNA ka mundur të sigurojë shkëmbime “e-mail”-esh, të cilat flasin për aplikimin, datën e mbedhjes së Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe refuzimin që i është bërë subjektit që ka pasur në kontratë ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, ku pas tij fshiheshin Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Sipas të dhënave rezulton se aplikimi është bërë në datën 07 dhjetor 2020, kohë kur kompania e inceneratorit zhvillonte propagandë të fortë nëpërmjet “Top Channel” ku dhe ishte përfshirë në ortakëri me pronarët e këtij televizioni.

“Subject: Dokumentacion “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Përshëndetje,

Bashkëngjitur ju lutem gjeni dokumentacionin e përgatitur nga shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në lidhje me anëtarësimin e kësaj të fundit pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Ju lutemi të na konfirmoni marrjen e “e-mail”-it tonë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Me respekt,

“Integrated Energy BV SPV” sh.p.k”, thuhet në e-mail.

Po ditën e aplikimit kompania merr menjëherë përgjigjen se mbledhja do të zhvillohej pas një jave.

Përgjigjja vjen nga Fotini Harispapa, e cila me “e-mail” i drejtohet Arjola Kodrës, e cila ka qenë edhe administratorja e kompanisë në atë kohë, duke theksuar se aplikimi ka qenë i plotë dhe i saktë.

“From: Fotini Harispapa

Sent: Monday, December 07, 2020 5:14 PM

To: Integrated Energy BV SPV; AmCham Albania

Subject: RE: Dokumentacion “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Përshëndetje Arjola,

Ju falënderojmë shumë për aplikimin!

Dokumentacioni është i plotë dhe i saktë. Mbledhja e Bordit në të cilën do të shqyrtohen aplikimet e reja është me datë 15 dhjetor dhe menjëherë pas takimit ne do t’ju informojmë në lidhje me anëtarësimin tuaj në AmCham.

Deri atëherë, do të mbetemi në kontakt.

Edhe njëherë faleminderit për interesin dhe punë të mbarë!

Tina”, thuhet në e-mail.

Aplikimi i “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. është refuzuar më pas nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Sipas një “e-mail”-i të datës 21 dhjetor është sërish Fotini Harispapa, e cila e njofton Arjola Kodrën se kjo dhomë ka refuzuar antarësimin e kompanisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., me argumentin se kjo kompani ka qenë objekt i debateve publike, por edhe një subjekt nën hetim.

“E nderuar znj. Kodra,

Në vijim të komunikimit tuaj me Drejtorin Ekzekutiv, z. Ilir Trimi, më lejoni t’ju informoj se Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane nuk e ka miratuar aplikimin e kompanisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Subjekti i ofruar për anëtarësim, rezulton i përfshirë në një debat publik mbi kontratat koncensionare me Qeverinë Shqiptare, dhe për rrjedhojë edhe objekt i hetimeve nga autoritetet përkatëse.

Ju jeni të mirëpritur për të aplikuar përsëri në një periudhë tjetër.

Ju falënderoj për mirëkuptimin!

Me respekt”, shkruhet në e-mail.

Arjola Kodra me cilësinë e administratores vë në dijeni gjithmonë Klodian Zoton si dhe Denisa Tollkuçin si dy nga personat kryesorë të inceneratorit të Tiranës, të cilët janë fshehur pas emrave të tjerë për një periudhë të gjatë, deri në hetimet e SPAK-ut, ku tashmë është provuar se “truri” i inceneratorëve është Mirel Mërtiri, i cili së bashku me Klodian Zoton dhe Stela Gugalljën, ndërtuan skema korrupsioni dhe mashtrimi ndaj qeverisë shqiptare duke përfituar rreth 170 milionë euro për inceneratorë që janë jashtë funksionit në Elbasan dhe Fier dhe në Tiranë një incenerator që nuk ekziston.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *