8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dosja e mashtrimit/ Si u zhyt Banka e Shqipërisë në skandalin e kredive

Klodian Tomorri

Në 18 gusht të vitit 2015, një shoqëri e quajtur Micro Credit Albania bleu 22 milionë euro kredi të këqija nga banka Procredit. Çmimi i blerjes ishte sa 2.7 për qind e vlerës së kredive. Një muaj më vonë, e njëjta shoqëri bleu dhe 540 mijë euro të tjera kredi të këqija nga subjekti Vision Fund. Por të gjitha këto operacione zhvilloheshin në fshehtësi të plotë dhe aryeja për këtë ishte shumë e fortë. Micro Credit Albania nuk kishte liçencë për të blerë kredi, ndërsa Shqipëria nuk kishte ligj, që lejonte shitjen e kredive të këqija.

Micro Credit Albania ishte një kompani e licencuar nga Banka e Shqipërisë në 27 shkurt të vitit 2015 si institucion financiar mikrokredie. Baza ligjore për veprimtarinë e këtyre institucioneve qe miratuar me një rregullore të posaçme të Këshillit Mbikqyrës të BSH që në janar të vitit 2013 me firmën e ish guvernatorit Adrian Fullani. Në rregullore thuhej shprehimisht; “Institucionet financiare të mikrokredisë kanë si objekt të tyre vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies.”

Pra sipas ligjit të asaj kohe, institucioneve të mikrokreditit u lejohej vetëm dhënia e mikrokredive deri në shumën maksimale 600 mijë lekë dhe asnjë aktivitet tjetër, aq më tepër blerja e kredive të këqija. Me pak fjalë, të gjitha transaksionet e shitblerjeve të kredive të këqija ishin një veprimtari në kundërshtim me ligjin, e cila vazhdoi për muaj të tërë.

Por në vend që të bllokonte veprimtarinë e paligjshme dhe të kallëzonte personat përgjegjës për ndjekje penale, Banka e Shqipërisë ndryshoi ligjin post factum duke tërhequr edhe Këshillin Mbikqyrës në paligjshmëri.

Implikimi i Këshillit Mbikqyrës
Në 30 mars të vitit 2016, kur kishin kaluar mbi 6 muaj nga koha që Micro Credit kishte blerë kreditë e para të këqija, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për liçencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga instititucionet financiare jobanka”. Në pikën 2 të kësaj rregullore u shtua fjalia se “blerja e kredisë do të konsiderohet si një nga format e kredidhënies”.

Edhe pse kjo ishte vetëm një fjali e shkurtër, shndërrimi i saj në ligj i hapi rrugën një prej mashtrimeve më të mëdha financiare në historinë e Shqipërisë. Atë të zhvatjes së 100 mijë qytetarëve shqiptarë me kredi grabitqare dhe tjetërsimit të pronave për dhjetra mijë familje anembanë Shqipërisë. Një skemë grabitje, e cila vlerësohet se arrin në mbi 200 milionë euro.

Nuk dihet nëse Këshilli Mbikqyrës i kohës ishte në dijeni se në treg kishin ndodhur sakaq blerje masive të kredive të këqija nga shoqëria Micro Credit Albania apo u shty në ligjërimin e krimit nga krahu ekzekutiv i Bankës pa patur informacion të plotë se çfarë po votonte. Këtë me shumë gjasa do ta zbulojnë hetimet e SPAK. Megjithatë edhe me ndryshimin e rregullores paligjshmëria nuk ishte mbuluar tamam. Duhej edhe një lëvizje tjetër, tashmë për të ligjëruar MCA-në,e cila nuk vonoi.

Në 9 maj të vitit 2016 Banka e Shqipërisë revokoi liçencën e Micro Credit Albania si institucion financiar mikrokrediti dhe po në të njëjtën ditë e liçencoi atë si subjekt financiar jobankë. Kjo liçencë i jepte ligjërisht të drejtën Micro Credit Albanias që të blinte kredi të këqija edhe pse kompania kishte mbi 6 muaj që e bëntë këtë veprimtari në paligjshmëri.

Krimi pjell krim
Një aferë e nisur në mënyrë të paligjshme nuk mund të prodhojë gjë tjetër përveçse krim. Menjëherë pas liçencimit nga BSH, Micro Credit Albania bleu edhe 80 milionë euro të tjera kredi të këqija nga bankat private duke e çuar shumë totale në plot 100 milionë euro.

Por ndërsa Banka e Shqipërisë lëvdohej se masat e saj po ulnin kreditë e këqija në sistemin banker, mbi 100 mijë familje shqiptare u hodhën në kthetrat e një skeme kriminale mashtrimi. Nuk kaloi shumë dhe në ministrinë e Drejtësisë mbërritën me qindra ankesa nga qytetarë, të cilët ishin mashtruar dhe zhvatur në mënyrë të pamëshirshme nga Micro Credit Albania deri në rrënimin e familjeve të tyre.

Teksa ankesat nga qytetarët sa vinin e shtoheshin, ministria e Drejtësisë u detyrua të hapte një hetim mbi atë se çfarë po ndodhte. Hetimi gjeti fakte tronditëse të një skeme të mirëfilltë kriminale. Pas tij, Etilda Gjoni përpiloi një kallëzim penal prej 700 faqesh, të cilin e dorëzoi në prokurori dhe në Bankën e Shqipërisë.

Por pavarësisht gjetjeve tronditëse, as prokuroria dhe as Banka e Shqipërisë nuk vepruan duke i hapur rrugën skemës më të madhe të mashtrimit dhe tjetërimit të pronave në historinë e tregut financiar në Shqipëri, përjashto piramidat e vitit 1997.

Hezitimi i Bankës së Shqipërisë për të vepruar sipas prokurorisë së Tiranës dhe ligjerimi nga ajo i veprimtarise se paligjshme te Micro Credit Albania krijon dyshime të forta për shpërdorim detyre në nivelet më të larta drejtuese të Autoritetit Qëndror Monetar të vendit. Për këtë arsye prokuroria e Tiranës i kërkoi zyrtarisht SPAK të marrë nën hetim guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *