20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Dritëhijet e dosjes hetimore të Ahmetajt

SPAK ka kërkuar arrestimin e ish zvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj nën akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Në dosjen hetimore, SPAK pretendon se nga pozicioni i ministrit në qeveri, Ahmetaj ka ndihmuar Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin që të shtinin në dorë koncesionet e inceneratorëve dhe në këmbim të kësaj ndihme ka marrë rryshfet.

Në rrafshin procedurial, akuza e shfrytëzimit të pozicionit shtetëror bie në një paradoks, jo të vogël. SPAK pretendon se Ahmetaj ka kontribuar që Zoto dhe Mërtiri të marrin koncesionet, por nuk ngre asnjë akuzë për shpërdorim detyre ndaj ish ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Heqja dorë nga akuza për shpërdorim detyrë tregon dy gjëra. Ose SPAK nuk ka qenë në gjendje të sigurojë prova se Ahmetaj ka shkelur ligjin me veprimet ose mosveprimet e tij si ministër, ose roli i tij në procedurën e miratimit të koncesioneve të inceneratorëve ka qenë zero.

Por kjo është vetëm njëra anë e akuzës. Ana tjetër, ndoshta ajo më e rëndësishmja, është se Ahmetaj ka marrë rryshfet nga Zoto dhe Mërtiri. Sipas SPAK, ky rryshfet është kanalizuar thuajse tërësisht përmes disa transaksioneve me pasuri të patundshme.

Rasti i parë është ai i një vile në resortin Vala Mar në Hamallaj. SPAK thotë se vila është porositur nga Klodian Zoto. Më pas ka përfunduar tek biznesmeni Gerian Kuka dhe më vonë është blerë nga bashkëshortja e Ahmetajt. SPAK thotë se kjo skemë trekëndësh ka patur si qëllim që të kamuflojë rryshfetin nga Zoto tek Ahmetaj.  

Avokatët e Ahmetajt pretendojnë se Klodian Zoto nuk ka paguar asnjë qindarkë dhe nuk ka qenë asnjë ditë pronar i vilës. Ai e ka porositur vilën, por pasi nuk ka bërë asnjë pagesë, kompani shitëse e ka anulluar kontratë-porosinë dhe ja ka shitur vilën një tjetër blerësi. Në këtë rast, biznesmenit Gerian Kuka. Sipas avokatëve, më pas Kuka ja ka shitur vilën bashkëshortes së Ahmetaj përmes një transaksioni bankar, lehtësisht të provueshëm.

Por t’i lëmë mënjanë njëherë pretendimet e avokatëve dhe të marrim të mirëqenë atë të SPAK se skema trekëndësh është përdorur për të kanalizuar rryshfetin nga Zoto të Ahmetaj.

Ky pretendim ka një mangësi, jo të vogël. Nëse Zoto, Kuka dhe Ahmetaj përdorën një skemë trekëndësh për të kanalizuar rryshfetin nga Zoto tek Ahmetaj, pyetja që ngrihet është se pse prokuroria nuk ka ngritur akuzë ndaj biznesmenit Gerian Kuka? Sipas asaj, që pretendon SPAK, ai është pjesë e trekëndëshit njësoj si dy të tjerët.  

Së dyti, akuza për kamuflim rryshfeti dhe pastrim parash do të duhet të provonte gjithashtu se transaksioni bankar i blerjes së vilës nga bashkëshortja e Ahmetajt përmes bankës ka qenë fiktiv. SPAK duhet të tregonte se bashkëshortja e Ahmetaj nuk ka paguar para në llogarinë bankare të biznesmenit Kuka. Ose paratë janë paguar dhe më pas janë tërhequr nga biznesmeni për t’ja rikthyer cash sërish bashkëshortes së Ahmetajt. Në dosjen hetimore nuk ka asnjë provë për këto.  

E njëjta kërcitje vihet re në të gjitha rastet e tjera. SPAK nuk ka ngritur akuzë as ndaj biznesmenit tjetër, Mond Bego, për të cilin pretendon se ka paguar vilën e Palasës. Dhe nuk ka ngritur akuzë as ndaj personave të tjerë, për të cilët pretendon se kanë blerë fiktivisht apartamentet nga një pallat në Selitë ku ishte aksionere ish bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka, me qëllim për të kanalizuar rryshfetin nga Mërtiri dhe Zoto tek ish ministri i Financave.

Mos ngritja e akuzave për biznesmenët e përfshirë në këto transaksione, dhe më tepër mos paraqitja e deklarimeve të tyre në dosjen hetimore, hedh hije të forta dyshimi mbi akuzat për rryshfet.

Ndoshta prokurorët e SPAK kanë prova të tjera, të cilat nuk i kanë paraqitur në dosje për të mos dekonspiruar hetimin. Por nëse, këto prova nuk ekzistojnë, atëherë edhe pika më e fortë e akuzës së SPAK ndaj Ahmetajt, ajo e marrjes së rryshfetit do të ishte totalisht nul. Njësoj si akuza për shpërdorimin e detyrës. Në këto kushte ngrihet një pyetje tjetër. A mos vallë, Ahmetaj duhet në burg, me apo pa prova se kështu ka vendosur dikush?  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *