21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dumani: Hetimet për inceneratorin e Tiranës vazhdojnë, po verifikohet roli i çdo zyrtari

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim informal me gazetarët që ka zgjatur rreth 60 minuta në këtë fund vit, iu është përgjigjur një sërë pyetjesh lidhur me çështje tepër të ndjeshme, ndaj të cilave organi i akuzës ka hetime apo akuza të paraqitura në gjykatë.

Në lidhje me çështjen e ish-agjentit të Charles McGonigal, për padinë e depozituar nga Gazment Bardhi në SPAK, Dumani konfirmon regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime, por pa dhënë më shumë detaje.

“Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike” – ka thënë Dumani.

Altin Dumani nuk dha shifra zyrtarësh kryesisht policor të dalë nga transkriptet e Encro Chat dhe Sky Eç, por tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë. Në lidhje me formularin që do të plotësojnë efektivët e Policisë me urdhër të Ministrisë së Brendshme, Dumani tha se përdorimi i aplikacioneve Encro Chat dhe Sky Eç nuk përbën vepër penale.

“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita” – ka deklaruar Dumani.

Për inceneratorin e Tiranës, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke mos përjashtuar as kryebashkiakun e Tiranës.

“Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion (Pyetje: edhe ndaj Veliajt). Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet” – ka treguar kreu i SPAK.

Sa i takon ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt dhe dy biznesmenëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim ndërkombëtar, Dumani u shpreh: “Hetimet janë intensive. Pavarësisht se është larguar ai vazhdon të jetë në hetim”.

Në lidhje me vendodhjen e Arben Ahmetajt, Dumani u shpreh se nuk mund t’i ndajë me gazetarët informacionet që ka.

“Arben Ahmetaj për ne është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë”– ka thënë kreu i SPAK.

Dumani iu përgjigj edhe interesimit për çështjen e Sterilizimit dhe polemikave që janë përhapur rreth amnistimit të ish ministrit Ilir Beqja

“Jemi prokuror por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin Maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër” – tha Dumani.

Në përgjigje të pyetjes nëse ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën për “kufizim të daljes jashtë vendit” për kryetarin e PD Sali Berisha, sikundër edhe juristët janë ndarë nëse do duhej apo jo autorizim nga Kuvendi për heqjen e imuniteti, Dumani tha se parlamentit nuk mund t’i jepen kompetencat kushtetuese që nuk i ka.

“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli” – ka thënë Dumani

Sa i përket sekuestrimit telefonave ndaj Monika Kryemadhit apo hetimet ndaj Metës, Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”.

Boldnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *