14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dumani shigjeton Tatimet dhe Doganat: Kanë instaluar kodin e omertas

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani deklaroi se në disa institucione kyç të shtetit është instaluar kodi i omertas duke mos referuar asnjë kallëzim për korrupsion. Kreu i SPAK shënjestroi direkt dy institucionet e të hyrave publike, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe atë të Doganave.

“Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?!”, është shprehur kreu i SPAK gjatë një takimi në “IDM Morning Briefing”.

Sipas Dumanit kodi i heshtjes po përhapet në të gjitha institucionet shtetërore.

“Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin,” u shpreh Dumani

Sipas tij, gjatë vitit 2023 SPAK regjistroi kallëzime sa për tre vite bashkë, duke qenë i vëmendshëm ndaj raportimeve ne media.

“Ne kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet,” shtoi ai.

Dumani theksoi se SPAK nuk është shkopi magjik që mund të kontrollojë çdo gjë, ndaj nevojitet bashkëpunimi i institucioneve të tjera shtetërore.

“Çdo institucion ka bilbil-fryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”, është shprehur kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *