4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Duopoli i oksigjenit zhvat shqiptarët me çmime tre herë më të larta se rajoni

Në fund të vitit të kaluar, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës lidhi një kontratë me shoqërinë Sol spa për blerjen e 720 mijë litrave oksigjen mjekësor. çmimi që rezultoi pas procedurës tenderuese ishte 0.43 euro për litër, siç dëshmon kontrata.

Në të gjitha vendet e rajonit, çmimi i oksigjenit që përdorët për nevojat mjekësore varion nga 0.3-0.5 euro për litër. Kapitali konsultoi dhjetra tendera të zhvilluar nga ministritë e shëndetësisë dhe qendrat spitalore në vendet e rajonit. Por Shqipëria është rast i veçantë.

E njëjta kompani, që i shiti Kosovës oksigjen me 0.43 euro në Shqipëri e shet oksigjenin prej tre vitesh me çmimin 1.2 deri në 1.3 euro për litër. Plot tre herë më shtrenjtë.

Por pse grupi Sol bën diskriminim çmimesh vetëm me Shqipërinë? Arsyeja është një duopol, për të cilin disa dyshojnë që në fakt është monopol.

Tregu
Tregu i oksigjenit mjekësor që blihet nga spitalet publike po shkon rreth 15 milionë euro në vit. Ky është një biznes, i cili zotërohet nga vetëm dy kompani. Ato janë G.T.S Gazra Teknike dhe Messer Albagaz. E para zotërohet nga grupi italian Sol duke patur si person të plotfuqishëm në Shqipëri, biznesmenin Besnik Halili. Zoti Halili ka dalë në përgjimet e antimafias italiane për lidhje me organizatën mafioze Ndraghetta. 

Kompania e dytë, Messer, zotërohet nga një fondacion në Gjermani. 

Të dy këto kompani, herë hyjnë bashkë në tenderat e ministrisë së Shëndetësisë dhe herë konkurrojnë me njëra tjetrën. Rezultati i këtij koluzioni flagrant është ai se Shqipëria që pas pandemisë e ble oksigjenin spitalor tre herë më shtrenjtë se Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe të gjitha vendet e BE-së.

Mbyllja e tregut me dy kompani, të cilat koordinojnë biznesin me njëra tjetrën nuk mund të ndodh nëse nuk korruptohen institucionet. Në fakt, tregu i gazit mjekësor është nën hetim nga prokuroria. Para disa kohësh SPAK bastisi zyrat e kompanisë G.T.S në Vaqarr, duke sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat e 12 personave, mes të cilëve të drejtuesit Besnik Halili.

Arsyet janë pikërisht abuzimi me tenderat e oksigjenit, një dosje e cila hetohet nga prokurori Sotir Kllapi. Por lëvizjet e ngadalta të SPAK e rëndojnë koston që paguajnë qytetarët shqiptarë, të cilët po zhvaten haptazi me tenderat e oksigjenit spitalor. Dhe këto nuk janë para që merren nga kompanitë e huaja. Dyshohet se ato para kthehen sërish me canta në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *