Të paktën 20 persona raportohet se kanë mbetur të lënduar, kryesisht me probleme me frymëmarrjen nga zjarri që ka përfshirë dy katet e një qendre tregtare në Lushnje.
Paraprakisht, nga personat që kanë shfaqur probleme me asfiksinë, asnjë nuk raportohet të jetë në gjendje serioze.
Prej gati një ore tashmë, zjarri po shkrumbon ambientet e dy kateve të qendrës tregtare që ndodhet në katër katet e para të një pallati 9 katësh.
Qyteti i Lushnjes është mbuluar nga tymi i zi, ndërsa në vendngjarje ndodhen të paktën 7 zjarrfikëse dhe disa ambulanca.
Prej katit të pestë, në pallat ka apartamente banimi, që janë evakuar tashmë.
Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, dhe është përhapur me shpejtësi në ambientet e brendshme.
Policia bën me dije zjarri ka rënë rreth orës 14:40 në qendrën tregtare ‘Metropol’.
Dyshohet se brenda qendrës ka ende njerëz, ndërsa disa prej tyre po përpiqen të dalin nga dritaret dhe ballkonet.
Forcat Zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët si dhe për të evakuuar klientët dhe punonjësit.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 14:40, njoftohemi se në Qëndrën Tregëtare “Metropol” në qytetin e Lushnjës ka rënë zjarr.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qëndrën tregëtare.
Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbeshtetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.
Shërbimet zjarrëfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.