6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dy muaj pas inaugurimit, rruga Orikum – Dukat mbyllet për t’u shtruar me asfalt

Rruga Orikum-Dukat nuk do të jetë e kalueshme nga e hëna në të premte, përveç fundjavës, për shkak të rifillimit të punës me shtresat asfaltike të saj.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar ky devijim do të kryhet deri sa ky segment të përfundojë tërësisht.

“Në datën 11.09.2023 ditën e hënë, që herët në mëngjes ky aks do të jetë i mbyllur dhe do të hapet sërish ditën e premte për të lënë akses kalimi gjatë fundjavave. Trafiku do të devijohet në drejtim të rrugës së vjeter nacionale Orikum-Llogara”, -thuhet në njoftimin e ARRSH-së

Rruga Orikum-Dukat është e gjatë 15 kilometra dhe i është dhënë me koncesion kompanisë “Gjikuria” me vlerë 50,5 milionë euro në vitit 2018. Ajo është ndër rrugët më të shtrenjta në Shqipëri, me kosto prej 3.36 milionë euro për kilometër.

Sipas afateve të përcaktura në relacion rruga duhet të kishte përfunduar. Kontrata u shpall në 2018, mirëpo ende nuk ka përfunduar i gjithë segmenti që përfshin Portin e Jahteve, bypass-in e Orikumit dhe deri te ura e Shën Elizës në Dukat.

Rruga u hap për qarkullim gjatë sezonit të verës edhe pse ende e papërfunduar.

Më 20 qershor rruga u inspektua nga Kryeministri Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku të cilët u shprehën se segmenti Orikum-Dukat bashkë me segmentin Palasë-Dhërmi do të përfundojnë në qershor të vitit 2024.

Rrugët e jugut ende të papërfunduara pavarësisht afateve
Në gusht, Citizens Channel monitoroi rrugët që të çojnë në jug të vendit. Megjithëse të hapura për qytetarët ato ende ishin të papërfunduara. Orikum-Dukat, Palasë-Dhërmi dhe bypass-i i Vlorës janë segmentet e reja rrugore që kanë kushtuar afër 110 milionë euro.

Bypass-i i Vlorës është 29 kilometra dhe ka kushtuar 59 milionë euro pa tvsh. Autoriteti Rrugor Shqiptar i konfirmoi Citizens Channel në përgjigjen e një kërkese për informacion se punimet në bypass-in e Vlorës nuk kanë përfunduar.

Aksi rrugor Palasë-Dhërmi po ndërtohet po ashtu nga kompania “Gjikuria”, i cili u hap për qarkullim gjatë sezonit veror të 2023-it. Ky segment u tenderua për një afat prej 18 muajsh, e megjithatë, edhe pse kanë kaluar 31 muaj, sërish rruga është në punë e sipër.

Citizens Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *